Ferizaj po hyn në një etapë të re të digjitalizimit dhe modernizimit të hapësirave publike. Në ditët dhe javët në vijim, sheshi kryesor i qytetit do të pajiset me WiFi falas, falë përzgjedhjes së Komunës së Ferizajt si përfituese nga iniciativa WiFi4WB, e mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Gjermanisë, përmes projektit EU4Digital.
Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i Urbanizmit, Arbër Bytyqi, i cili theksoi se ky është një hap i rëndësishëm drejt afrimit të qytetit me standardet evropiane të qasjes në internet për qytetarët dhe bizneset.
“Komuna e Ferizajt është përzgjedhur komunë përfituese nga iniciativa WiFi4WB. Përmes Operatorit Vala – Telekomi i Kosovës, shumë shpejt do të kryhen instalimet e nevojshme, në mënyrë që qytetarët, bizneset dhe çdo vizitor i Ferizajt të kenë mundësi të shijojnë qasje të shpejtë dhe falas në internet”, thuhet në njoftimin e tij.
Ky projekt, përveçse ofron komoditet për qytetarët, është edhe një nxitje për zhvillimin ekonomik, pasi pritet të ndikojë në lehtësimin e punës për bizneset lokale dhe krijimin e një mjedisi më miqësor për vizitorët e qytetit.
Ferizaj tashmë i shtohet listës së qyteteve evropiane që ofrojnë internet publik falas, duke dëshmuar se investimet në teknologji dhe infrastrukturë digjitale janë prioritet i Komunës dhe partnerëve ndërkombëtarë.