25,11,2024

Ferizaj: Ismail Kadare nderohet me çmimin “Finesa”

Must Read

Ferizaj.05.04.2017. Shkrimtari shqiptar me nam botërore, Ismail Kadare nderohet me çmimin “Finesa”
Në ceremoninë e përgatitur për ndarjen e këtij çmimi morri pjesë edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovës, Qemajl Minxhozi, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Kujtim Shala, zëvendësministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës, deputete të Parlamentit të Republikës së Kosovës, si dhe shumë mysafirë të tjerë.
Komuna e Ferizajt e ka nderuar me çmimin “Finesa” shkrimtarin e mirënjohur shqiptar Ismail Kadare. Ky çmim i është ndarë Kadaresë për kontributin e tij në fushën e letërsisë. Që nga sot edhe sheshi tek teatri i qytetit “Ardriana” do ta mbajë emrin e këtij kolosi të letrave shqipe.
Para seancës solemne të Kuvendit, shkrimtari Ismail Kadare, fillimisht është pritur nga kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, i cili më këtë rast i ka uruara mirëseardhje. Pastaj pjesa solemne ka vazhduar në sallën e Kuvendit, me ç’rast kryetari i Svarqa , në fjalën e tij ka thënë se komuna e Ferizajt ndihet e nderuar me vizitën e tij këtu dhe se bashkëqytetarët e tij nuk do ta harrojnë gjatë këtë nderë që po u bënë.
Ndër tjera ai ka folur për historikun e qytetit por edhe për të arriturat e komunës në fushën e kulturës.
“Komuna jonë ndihet shumë e nderuar me vizitën tuaj dhe jam i bindur se ferizajasit nuk do ta harrojnë për një kohë të gjatë nderin që po ua bëni. Ferizaj është qytet i ri, por gjetjet arkeologjike të viteve të fundit, dëshmojnë se rrethinat e tij kanë qenë të banuara rreth tetë mijë vjet më parë. Pa dashur që t’ju ngarkoj me historinë, dëshiroj të përmend me këtë rast se në rrethinat e Ferizaj janë zhvilluar ngjarje me përmasa kombëtare. Më 1881 në këto anë janë zhvilluar kryengritje të mëdha më, nga të cilat kanë dalë emra që ende nuk i ka shlyer historia si: Mic Sokoli, Ali Ibra e Sefë Kosharja”, ka thënë kryetari Svarqa, përderisa ka shtuar se Ferizaj është i njohur për Kuvendin e Madh të vitit 1908, që pati ndikime të rëndësishme në politikat e Perandorisë Otomane.
“Nga ky qytet më 14 korrik 2012 u nisën kryengritësit shqiptarë dhe e çliruan Shkupin si kryeqytet të Vilajetit të Kosovës. Ferizaj ka qenë një nga qendrat më të rëndësishme të përpjekjeve dhe të luftës çlirimtare më 1944, më 1968, 1981, 1990 dhe 1999. Sot Ferizaj është komuna e tretë më e madhe e Kosovës me rreth 110 mijë banorë, prej të cilëve rreth 35 mijë janë nxënës dhe studentë, që ndjekin mësimet në 60 shkolla fillore, 6 shkolla të mesme, një universitet publik dhe tri kolegje private”, është shprehur Svarqa.
I pari i Ferizajt tutje është shprehur se Ferizaj dallohet në Kosovë si qytet i kulturës.
“Këtu mbahen katër festivale me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar, si dhe dhjetëra manifestime kulturore gjatë vitit. Me gjithë ndikimin e teknologjisë informative, libri vazhdon të lexohet me pasion nga ferizajasit. Dëshmi për këtë janë rreth 4 mijë lexues që u shtohen çdo vit bibliotekave, të cilat në këtë komunë kanë një fond prej afro 65 mijë librash. Nuk e them për mirësjellje rasti, por të dhënat e fundit të bibliotekës kryesore të Ferizajt, tregojnë që veprat tuaja si: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kështjella”, “Kush e solli Doruntinën”, “Prilli i thyer”, etj., vazhdojnë të jenë librat më të kërkuar. Breza të tërë të ferizajasve janë ushqyer dhe vazhdojnë të ushqehen me artin tuaj, i cili tashmë gjerësisht çmohet si vlerë sipërore e letërsisë. Me veprën tuaj, edhe ne ferizajasit i kemi kuptuar më mirë përpjekjet e pareshtura të popullit tonë për t’i mbijetuar shpërfytyrimit kombëtar gjatë së kaluarës dhe përpjekjet në kohën më të re për t’i mbijetuar shpërfytyrimit shoqëror e njerëzor”, potencoi kryetari Svarqa.
Numri një i Ferizajt, Muharrem Svarqa, shkrimtarin me nam botërore e ka njoftuar se sheshi afër teatrit “Adriana” në Ferizaj, do të mbajë emrin e tij.

“Ndaj, në shenjë nderimi për veprën tuaj, për arritjet e jashtëzakonshme në letërsi, për njohjen në botë të letërsisë, kulturës dhe popullit shqiptar, si dhe për kontributin e çmuar dhënë vlerave të përbotshme letrare, kam nderin dhe kënaqësinë t’ju njoftoj se që nga sot, sheshi afër teatrit “Adriana” në Ferizaj, do të mbajë emrin tuaj. Gjthashtu Komuna e Ferizajt ka vendosur që sivjet t’ju ndajë çmimin FINESA, i cili u jepet krijuesve të dalluar, për suksese të posaçme, që mund të merren si model i kreativitetit artistik në fushën e letërsisë, muzikës, pikturës, skulpturës, teatrit, filmit, arkitekturës dhe lëmenjve të tjerë të artit. Edhe një here, në emër të qytetarëve të Ferizaj dhe sidomos të lexuesve tuaj të shumtë, dua t’ju shfaq mirënjohjen time të thellë për nderin që na keni bërë, duke e vizituar komunën tone”ka përfunduar kryetari Svarqa.

Në anën tjetër, shkrimtari Ismail Kadare , është ndier i emocionuar me këtë nderë që Ferizaj i ka bërë, duke thënë se shkrimtaret janë ata që komunikojnë përmes veprave me të gjithë, e në këtë rast edhe me lexuesit e Ferizajt. Ka shtuar se për shkrimtaret, kuptimi i nderimit e kapërcen madhësinë e një qyteti dhe se ky çmim është i veçantë për të.
Pjesa solemne ka vazhduar edhe me zbulimin e pllakës te sheshi i teatrit te qytetit i cili që nga sot edhe do ta mbaj emrin e shkrimtari Ismail Kadare. Me këtë rast edhe njëherë kryetari Svarqa ka thënë se ky shesh korrespondon me emrin e gjeniut të letrave shqipe sepse gjendet tek kompleksi i objekteve kulturore te komunës.
Ndryshe, gjatë ditës shkrimtari Ismail Kadare, është nderuar edhe nga Ministria e Kulturës me një çmim tjetër për kontributin e tij në fushën e letërsisë.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Verona Kryeziu, shpallet fituese e Festivalit “Kosovarja Këndon” 2024

Festat e Nëntorit nisëm me Festën e Këngës Popullore - edicionin e 52-të të Festivalit "Kosovarja Këndon" Me këngë shpirti,...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img