12,07,2025

Ferizaj investon fuqishëm në shëndetësi: Katër objekte të reja, staf i përkushtuar dhe pajisje moderne

Must Read

Ferizaj, 10 korrik 2025 – Në një intervistë për FerizajPress, drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në Ferizaj, dr. Kemajl Emini, ka folur për investimet e realizuara gjatë mandatit të fundit dhe sfidat me të cilat përballet sektori i shëndetësisë në komunën e tretë më të madhe në Kosovë.

“Në katër vite kemi realizuar investime që nuk janë parë prej dekadash në shëndetësinë ferizajase,” – thekson dr. Emini.

“Kemi përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën, pajisjet dhe cilësinë e shërbimeve për qytetarët.” Sipas tij, aktualisht janë duke u ndërtuar katër objekte të reja të Qendrave të Mjekësisë Familjare, duke filluar nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare e cila po përjeton transformimin më të madh.

“Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare nga 1,574 m² po zgjerohet në 4,952 m². Ky është një projekt prej 3.5 milionë eurosh, bashkëfinancuar me Ministrinë e Shëndetësisë, që do të ketë pajisje dhe inventar modern.” Ndërkohë, investime të rëndësishme po zhvillohen edhe në qendra të tjera. QMF Nr.2, me mbështetjen e organizatës nga Katari, është trefishuar në sipërfaqe – nga 622 m² në 1,800 m² – dhe do të ofrojë shërbim 24 orë në ditë,” – tha dr. Emini.

“Në Prelez kemi ndërtuar një qendër të re në partneritet me Qendrën Kosovare nga Kuvajti, ndërsa në Koshare po ndërtohet një objekt i ri me standarde moderne.” Ai thekson se përveç ndërtimit, është investuar në renovimin e qendrave ekzistuese. Kemi rinovuar plotësisht QMF-të në Dardani, Greme, Komogllavë dhe Nerodime, qendrën e vaksinimit dhe laboratorin në QKMF, si dhe pjesërisht QMF-në Nr.1. Gjithashtu janë rinovuar shtëpia e komunitetit dhe QPS,” – u shpreh drejtori.

Në aspektin e pajisjeve dhe mjeteve transportuese, investimet kanë qenë të konsiderueshme.

“Janë shtuar katër laboratorë të rinj në Nerodime, Pleshinë, Prelez dhe Koshare. Kemi siguruar nëntë automjete shërbimi, përfshirë katër autoambulanca të reja, një auto-kombi dhe katër vetura, disa prej të cilave janë donacione nga organizata ndërkombëtare si Caritas dhe UNICEF.” Një pjesë e rëndësishme e zhvillimeve ka qenë edhe përforcimi i kapaciteteve të urgjencës dhe kujdesit stomatologjik.

“Emergjenca është përforcuar me dy ekipe mjekësore që punojnë 24 orë në ditë dhe kemi plan për shtimin e një ekipi të tretë,” – theksoi dr. Emini.

“Në sektorin e stomatologjisë jemi duke instaluar afër 20 karrige të reja, ndërsa barnatorja doracake aktualisht funksionon 16 orë, me synim ta kalojmë në shërbim 24 orësh.” Megjithatë, drejtori nënvizon se sfidat e stafit mbeten evidente.

“Sot kemi vetëm 318 punonjës shëndetësorë, një numër që nuk përputhet me nevojat e Ferizajt,” – tha ai.

“Kemi bërë kërkesa zyrtare në Ministrinë e Shëndetësisë për shtim të stafit dhe kemi dërguar raporte të detajuara, por ende nuk kemi marrë përgjigje përfundimtare.”

Duke folur për zhvillimin profesional dhe projektet inovative, ai përmendi disa nisma të rëndësishme.

“Kemi organizuar simpoziumin e parë për shëndetësinë ferizajase, për administratat e QMF-ve në nivel republikan dhe për psikologët. Gjithashtu, Ferizaj ka hapur muzeun e parë të QKMF-së dhe është komuna e parë që ka implementuar projektin e dixhitalizimit të QKMF-së.” Një vlerësim të veçantë drejtori i kushtoi përkujtimit të punonjësve të rënë.

“Kemi vendosur obeliskun për nder të punonjësve shëndetësorë të rënë gjatë luftës dhe pandemisë. Çdo 15 qershor, në Ditën e Shëndetësisë në Ferizaj, organizojmë homazhe për të nderuar kontributin e tyre.”

Në fund të intervistës, dr. Emini theksoi bashkëpunimin me institucionet e tjera shëndetësore.

“Kemi bashkëpunim të shkëlqyer me Spitalin Rajonal të Ferizajt. Kemi liruar katin mbi emergjencë për repartin e ortopedisë dhe autoambulanca e dytë shërben 24 orë në transportin e pacientëve,”

Prioritetet e së ardhmes, sipas tij, do të jenë: Shtimi i ekipit të tretë të emergjencës në QMF Nr.2; Funksionalizimi 24 orësh i barnatores doracake dhe zgjerimi i kujdesit paliativ në 12 orë çdo ditë; Përforcimi i vazhdueshëm i QMF-ve me pajisje moderne, staf dhe qasje më të lehtë për qytetarët

“Mund të themi lirisht se për dekada nuk janë bërë investime të tilla. Objektet e reja do të jenë të gjitha me pajisje dhe inventar modern. Synimi ynë është që qytetari të ndiejë komoditet, të ketë shërbime të shpejta cilësore dhe më të afërta, qoftë në qytet, qoftë në qendrat në terren duke pasur parasysh që të punohet edhe për shtim stafi që korrespondon me 109.345 banorë”përfundoi drejtori dr. Emini../ Për Ferizajpress: Aurorë Zymberi

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Zbulohen pesë emigrantë të paligjshëm në një rimorkio kamioni në Terminalin Doganor në Ferizaj

Ferizaj, 11.07.2025Sot, më datë 11.07.2025, rreth orës 16:00, policia ka pranuar një informatë se në Terminalin Doganor, në rrugën...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img