Të premten më datë 27.06.2025 në orën 10:00 në Ferizaj do të mbahet testi i arritshmërisë për nxënësit e klasave të 9-ta, test ky i cili është vendimtar për orientimin e tyre në arsimin e mesëm. Drejtoria Komunale e Arsimit ka bërë të gjitha përgatitjet teknike dhe administrative për një proces sa më të rregullt dhe të suksesshëm.
Drejtori i Arsimit në Komunën e Ferizajt, Afrim Llabjani, në një intervistë për ferizajpress tha se janë ndërmarrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e testit të arritshmërisë, i cili mbahet çdo vit dhe organizohet nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI).
“Testi i arritshmërisë mbahet çdo vit. Pjesa që na takon neve është më shumë teknike, për faktin se testin e përgatit dhe e sjellë Ministria e Arsimit. Ne kemi bërë të gjitha përgatitjet për këtë vit,” tha Llabjani.
Sipas tij, këtë vit pritet që testit t’i nënshtrohen rreth 1566 nxënës të klasave të 9-ta në Ferizaj. Testimi do të zhvillohet në 11 qendra, të cilat kryesisht janë shkolla të mesme në qytet.
“Nxënësit do t’iu nënshtrohen lëndëve si: gjuha shqipe, gjuha angleze, histori, gjeografi, matematikë, informatikë, fizikë, kimi dhe biologji,” shtoi drejtori.
Testi do të përmbajë gjithsej 100 pyetje dhe zgjat 150 minuta. Nuk ka prag kalueshmërie, por sipas Llabjanit, rezultatet e larta krijojnë mundësi më të mëdha për regjistrim në shkollat e mesme ku nxënësit preferojnë.
“Nxënësit që marrin pikë të larta do të kenë mundësinë të regjistrohen në shkollat që dëshirojnë, përfshirë ato elitare nëse mund t’i themi kështu, si Shkolla e Mesme e Mjekësisë “Elena Gjika” si dhe Gjimnazi i Shkencave Natyrore “Kuvendi i Arbërit” tha ai.
Në aspektin organizativ, Llabjani konfirmoi se janë caktuar edhe administruesit, që do të jenë mësimdhënës të shkollave të mesme dhe zyrtarë të DKA-së. Testimi fillon në ora 10:00 të mëngjesit.
“Ne si Drejtori e Arsimit i urojmë suksese të gjithë nxënësve që iu nënshtrohen testit nesër” përfundoi ai.
Rezultatet e testit do të publikohen nga MASHTI në një datë që ende nuk është bërë e ditur./ Për FerizajPress Aurorë Zymberi