Orkestra “FerBand” nga Ferizaj është duke u përgatitur që më 20 dhjetor të mbaj një koncert në teatrin ‘’Adriana’’ në këtë qytet. Udhëheqësi artistik i kësaj orkestre Shaban Ratkoceri, tha se këtë koncert po e organizojnë për të përmbyllur, siç tha ai, sukseset e vitit 2017.
“Në këtë koncert ta quajmë gala koncert i cili do të jetë në përmasa të mëdha, do të performojnë solistë nga qyteti i Ferizajt, por edhe më gjerë, do të jenë solistë të njohur si Veli Sahiti, Liridon Sadriu, Visar Çarkaxhiu, po ashtu edhe solistë të tjerë. Shpresoj që të shkoj mirë dhe të bëhet ashtu siç jemi duke e menduar ne, qëllimi është që të bëjmë një përmbyllje të aktiviteteve që kemi pasur gjatë vitit 201, dhe të gjithë ata që kanë marrë pjesë në promovimin ose në themelimin e orkestrës prapë do të jenë të njëjtë të cilët do ta përmbyllin këtë vit në këtë koncert”, tha Ratkoceri për Televizionin Tema.
Ratkoceri u shpreh i zhgënjyer me mospërkrahjen financiare të institucioneve komunale.
“E rëndësishme është që brenda këtij koncerti të kemi qytetarë të Ferizajt dhe besoj që do ta mbushim sallën e teatrit në këtë koncert, koncerti është me hyrje, për arsye se për t’i mbuluar shpenzimet teknike dhe organizative, por shpresoj që të kemi publik të mjaftueshëm dhe të shfaqet një koncert i mirë dhe kjo traditë të përcillet edhe më vonë në aktivitetet e tjera, në këtë koncert që do ta mbajmë më 20 dhjetor nuk kemi ndonjë përkrahje institucionale, të gjitha aktivitetet i kemi bërë me forca tona, por shpresoj të kemi aty prezent nga drejtoria e kulturës përfaqësues dhe ta shohin këtë koncert që koncertet e tjera të radhës të na përkrahin”, tha Ratkoceri.
U bë e ditur se bileta për këtë koncert kushton 2 euro.