Ferizaj.07.10.2017. Derisa partitë politike po premtojnë se do ta përmirësojnë mirëqenien sociale të qytetarëve, shoqata humanitare “Feniks” nuk po premton, por po realizon.
Në vazhdën e aktiviteteve bamirëse, sot kjo shoqatë ka përuruar dy shtëpi të reja falë marketit ‘’Eli-Ab’’, si donator kryesor për ndërtimin e këtyre shtëpive.
Kreu i shoqatës humanitare “Feniks” Milaim Jashari, tha se së shpejti do të përurojnë edhe disa shtëpi, duke bërë të ditur se nga janari i këtij viti kanë ndërtuar 20 shtëpi.
“Ne sivjet shtëpinë e 21 e kemi nisur në Shtime, besoj se edhe tri të tjera kanë me u përfundu dhe do të bëhen 24 shtëpi këtë vit i cili ka qenë jubilar dhe kemi punuar shumë punë të mirë, por neve na kanë ndihmuar edhe disa femra nga Suedia, i kemi bërë 5 shtëpi nga ato dhe plus Bastria 6, ndërsa të tjerat i kemi bërë 50-50, dhe besoj që të gjitha familjet kanë me u gëzu sikurse kjo sot, e cila po vërehet se është gëzuar dhe se ka pas nevojë edhe më herët, por ja sot u bë kismet”, tha Jashari.
Familja Kastrati nga fshati Bibaj, ishte familja e radhës që pati fatin të bëhet me kulm mbi kokë.
“Së pari e falënderoj Allah-un për këtë mundësi që më ka dhënë, pastaj e falënderoj Eli-Abin për këtë dhuratë e kontribut të madh që ka dhënë, po ashtu edhe shoqatën “Feniks” për punën e mirë dhe të madhe që po bën, edhe donatorët e tjerë që vetëm 1 euro e kanë dhënë për mua, deri tani kam jetuar në fshat në shtëpi të vjetër, djali përdorë barna, vetëm 75 euro i marrim social, së fundi kam shkuar në barnatore dhe barnat më kanë kushtuar 53, kam dalë tu qajtë, vetëm me këto jetojmë, por tani po shkon Allah-u duke mi hapur rrugët”, tha Bekrije Kastrati.
‘’Feniks’’- i sot përuroi edhe një shtëpi, por pa prezencën e familjes përfituese, ngase anëtarët e saj nuk ishin në shtëpi edhe pse e dinin se sot do të bëhej përurimi i shtëpisë së tyre, transmeton Televizioni Tema.