30,12,2024

Fëmija kosovar hedh hapin e parë në moshë pesëvjeçare në Turqi (Foto)

Must Read

Vogëlushi Ozer, i cili nuk kishte arritur rezultate nga trajtimi dyvjeçar në vendlindjen e tij, në muajin dhjetor erdhi në Spitalin Pediatrik Spastik dhe Qendrën e Rehabilitimit Dr. Ayten Bozkaya në Bursa, ku iu nënshtrua ushtrimeve, ergoterapisë, hidroterapisë dhe elektroterapisë, nën mbikëqyrjen e specialistëve të trajtimit fizik dhe fizioterapistëve.

Në Kosovë një mjek i kishte thënë se e ka të pamundur të ecë, ndërkohë që me hapin e parë pas terapisë tremujore, Ozeri, krahas gëzimit që përjetoi vetë, solli edhe buzëqeshje në fytyrën e së ëmës Gulxhanes dhe babait Huseinit.

Teksa më parë nuk mundte madje të qëndronte në këmbë, Ozeri tani mund të eci pa ndihmën e askujt, me ç’rast gëzon personat përreth me energjinë dhe gëzimin që përjeton.

“U ngrit në këmbë”

Specialisti fizioterapisë, Koza Çubukçu, duke folur për AA, tha se kur Ozeri kishte ardhur për herë të parë në spital, ai nuk kishte mundur të ulet, të ngre duart apo të qëndrojë në këmbë.

Çubukçu njofton se kanë zbatuar metoda të llojllojshme për ta rritur lëvizshmërinë fizike të Ozerit.

“Planifikuam trajtim që të mund të ulet dhe të ngre duart. Me pacientin zbatuam trajtim në përputhje me gjendjen e tij. Aktualisht, jemi duke zbatuar vetëm trajtim fizik. Pas kësaj, nëse është e nevojshme, mund të zbatojmë edhe alternativa të tjera, siç janë ndërhyrja kirurgjike dhe injektimi me botoks. Pacientin e pranuam më 5 dhjetor, kurse tani është ngritur në këmbë. Trajtimi nuk ka përfunduar ende, pra, aktualisht nuk është në nivelin që ne dëshirojmë. Marrja e një rezultati kaq të shpejtë sipas nesh është një gjendje gëzueshme”, thekson Çubukçu, duke shtuar se Ozeri tani ka filluar të përdorë edhe duart.

Ai më tej shpjegon se vogëlushi Ozer vuan nga paraliza cerebrale dhe thotë se rezultatet janë të kënaqshme kur sëmundja zbulohet në katër vitet e para të saj.

“Fituam rezultate të mrekullueshme”

Ndërkaq, fizioterapeutja Aslı Erdem Karadağ, duke treguar se për Ozerin kanë zbatuar fizioterapi të posaçme, tha se “Kur erdhi në fillim, fëmija ulej duke u mbështetur, nuk mund të qëndronte në këmbë dhe nuk mund të ecte. Me kohë, bëmë ushtrime me metodat tërheqje-forcim dhe balancim-koordinim, ergoterapi, hidroterapi, elektroterapi, si dhe përdorëm robot për ecje dhe ortezë. Tani, ai mund të ecë i pavarur.”

Karadağ theksoi se kanë shpresë se do të arrijnë në nivelin e dëshiruar dhe që me kohë gjendja e Ozerit do të përmirësohet edhe më shumë.

“Brenda javës, çdo ditë iu nënshtrua fizioterapisë, teksa në fundjavë vazhdonte punën intensive me të ëmën përmes konsultimeve. Fizioterapia kaloi në mënyrë shumë argëtuese. Pacienti është shumë ekstrovert dhe me gjendje mendore mjaft të mirë”, thotë Karadağ, duke shtuar se ecja e Ozerit në periudhë të shkurtër u ka dhënë kënaqësi shpirtërore.

Duke vënë në dukje se janë gëzuar në masë të madhe për Ozerin, Karadağ thotë se “Ozeri nuk i ishte nënshtruar trajtimit fizik aspak më parë. Ai u trajtua këtu për herë të parë, ndërsa ne fituam rezultate të mrekullueshme. Ishte një periudhë shumë e mirë e mjekimit. Tani e tutje do të vazhdojë përmes informimit familjar dhe trajnimeve tona. Ka pika në të cilat duhet avancuar.”

“Ozeri është shumë i lumtur”

Babai Husein Taç, rrëfeu se i biri i tij është mjekuar për dy vite në Kosovë, megjithatë, nuk kanë arritur asnjë rezultat.

Për këtë arsye, siç thotë ai, i janë adresuar kryetarit të Komunës së Mamushës Arif Bytyq, duke ia parashtruar kërkesën për trajtim në Turqi. “Bytyqi kontaktoi me Ankaranë. Na pyetën se në cilin qytet të Turqisë dëshironim të shkonim. Ndërkaq, ne zgjodhëm qytetin më të mirë, Bursën, dhe erdhëm në Spitalin Ayten Bozkaya. Fëmija jonë nuk ecte aspak në Kosovë. Këtu arriti sukses të madh dhe brenda një periudhe të shkurtër u ngrit në këmbë”, shprehet Husein Taç, duke shprehur falënderimet e tij.

Ai po ashtu tregon se para se të vinin në Turqi u janë drejtuar mjekëve në Kosovë. “Njëri nga mjekët na tha se Ozeri nuk mund të ecë. Një tjetër na tha se mund të ecë, mirëpo brenda dy viteve arritëm shumë pak sukses. Lëvizjet e dorës së Ozerit ishin shumë të vogla”, thekson Taç, për të shtuar se në spitalin në Bursa Ozeri ka përmirësuar të folurit dhe ecjen.

Ai tregon se Ozeri do të qëndrojë së bashku me të ëmën për vazhdimin e trajtimit dhe se në Kosovë do të kthehen pas përfundimit të tij pas dy ose dy muajve e gjysmë. Ai shton se edhe pasi të kthehen në Kosovë, do të vazhdojnë trajtimin. “Ozeri është shumë i lumtur”, tregon Taç.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Agim Aliu: I gjithë Ferizaj në terr, kjo është e pashembullt!

Ditëve të fundit e veçanërisht sot, Ferizaj po përballet me gjendje të pashembullt e të pandodhur më parë sa...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img