Gazeta vjeneze „Der Standard“, ka shkruar rreth bisedimeve për ndarjen e Kosovës. Sipas kësaj të përditshmeje vjeneze, gjermanët kanë parandaluar ndarjen e Kosovës, të cilën e kanë favorizuar serbët por edhe pala kosovare për shkak të lodhjes me cështjen e veriut të Kosovës.Kjo, sipas diplomatëve, edhe ka bërë që të ndërhyjë Berlini. Por, një zyrtar, në kushte anonimiteti i ka thënë gazetës austriake se ka frikë Thaçi dhe Vuçiq mund të flasin në kanale tjera rreth ndarjes së Kosovës.
Der Standard shkruan se ideja për ndarjen e Kosovës tashmë po sillet vërdallë – ide kjo e promocuar më së shumti nga Ministri i Jashtëm prorus i Serbisë Ivica Daçiq.
„Ai ka bërë thirrje për ndarjen e Kosovës në pjesën serbe dhe shqiptare“ rikujton gazeta.
„Kjo do të nënkuptonte de facto që pjesa e veriore e Kosovës, ku kryesisht jetojnë serbët do të ndahej nga Kosova. Daçiq madje këtë e quajti si zgjidhjen më afatëgjatë dhe më realiste. Edhe Vuçiq nuk e kundërshtonte idenë dhe lobonte që të mbesin të gjitha opsionet në tavolinë. Në fakt, Vuçiq dhe Thaçi janë në kontakt të afërt dhe bëjnë telefonata të rregullta mes vete. Edhe pse ndarja e Kosovës do të ishte në kontradiktë të qartë me Kushtetutën e Kosovës, shumë shqiptarë të Kosovës janë të lodhur me çështjen e përjetshme të Veriut të Kosovës, dhe disa e shohin secesionin e veriut të Kosovës si një mënyrë për ta zgjidhur përfundimisht problemin“ shkruan Der Standard.
„ Kjo do ta kolapsonte gjithë konstruksionin e Kosovës multietnike. Kjo ishte arsyeja që ndërhyni qeveria gjermane“ shkruan më tej gazeta.
Më pas citohet një diplomat që tregon se Vuçiqit dhe Thaçit u është bërë e qartë që të mos e prekin këtë temë.
„Në prapaskenë është bërë e qartë që të mos diskutohet cështja e kufijve“ ka thënë diplomati.
„Por ka rrezik se dy palët (Thaçi dhe Vuçiq), do të komunikojnë për këtë në rrugë tjera“ thuhet më tej në artikull.
Vuçiq, shkruan gazeta, e ka kuptuar mesazhin e Berlinit.
„Pala kosovare ende ka probleme me definimin e synimeve të saj“ thuhet më tej në shkrim.
„ Sido që të jetë ka forca që i kanë drejtuar sytë drejtë Luginës së Preshevës. Ka pasur edhe biseda për shkëmbim territoresh. Tema shfaqej, e shfaqej pasi që ekipi i Mogherinit publikisht nuk ka vendosur linja të qarta të kuqe dhe nuk e ka bërë të qartë se cfarë mund të dalë në tavolinë e cfarë jo“ thekson Der Standard.
„Për BE’në është e rëndësishme që të ketë një dokument final, jo marrëveshje të përkohshme që do të jetë juridikisht obligative në nivel ndërkombëtar dhe që nuk lë tema të hapura. Ata nuk duan një Qipro të dytë brenda BE’së“
„Për këtë arsye, Serbia duhet ta njohë kufirin e shtetit fqinj me këtë marrëveshje dhe duhet ta paranadolaohet që Serbia t‘i dalë në rrugë Kosovës për anëtarësim në organizatata ndërkombëtare, siç janë OKB dhe BE në të ardhmen“.