Ferizaj.06.01.2018. Ish-drejtori i Urbanizmit Faik Grainca, për të cilin Prokuroria Themelore e Ferizajt ka ngritur aktakuzë për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe falsifikim të dokumenteve, thotë se nuk ka njohuri për këtë aktakuzë. Ai thekson se për këtë është njoftuar vetëm nga mediat.
“Të them të drejtën unë kam informacione vetëm nga mediumet, ashtu siç keni ju, zyrtarisht nuk kam asnjë shkresë, sidoqoftë nëse është e vërtet, po flas në bazë të mediumeve, ajo aktakuzë së pari duhet të rikonfirmohet nga gjyqtari rikonfirmues se është një procedurë dhe pastaj të ngitet aktakuza, mendoj se ka qenë një presion që është bërë në Prokurori nga individ të caktuar edhe brenda Prokurorisë edhe jashtë saj, në gjyqtarin që e ka pasur lëndën, kam shumë për të thënë, por meqë janë procedura gjyqësore kur një çështje të filloj në gjyq derisa ajo çështje të përfundojë është e udhës që të heshtë, me të përfundu çështja natyrisht se kam shumë për të thënë. Unë nuk e di se si prokuroria ka kontaktu me media, nuk e di edhe a ka qenë e obliguar në aspektin ligjor, por sidoqoftë nuk kam konfirmim personal që është ngritur një aktakuzë ose diçka tjetër”,tha Grainca.
Ndërkaq, lidhur me objektin në ndërtim afër gjimnazit “Dr.Shaban Hashani” për të cilin dje Televizioni Tema raportoi se është duke u ndërtuar pa i përfillur kriteret teknike, Grainca tha se ndërtuesi ka marrë leje ndërtimore në bazë të Planit Zhvillimor të vitit 2008 dhe Planit Urban të vitit 2011.
“Aty është dhënë një leje për një objekt në bazë të planit urbanistik të vitit 2011, në raste të tilla kur nga ana e fqiut nuk ka dritare, qytetari apo ndërtuesi është i obliguar të ikë 3 metra dhe ne e kemi detyruar që ai të ikë tri metra, është pak problem se ai fqiu kur ka ndërtuar nuk i ka respektuar normat teknike në përpikëri është më afër mexhës së vet për një metër, sidoqoftë leja është lëshuar në bazë të Planit Urbanistik të vitit 2011 dhe mund të them se me dokumentet që ende punon Drejtoria e Urbanizmit për arsye se s’ka dokumente të tjera dhe ato janë tri dokumente, deri më tani ka qenë Plani Zhvillimor i vitit 2008, Plani Zhvillimor Urban dhe Plani Urban të vitit 2011, për me mujt me ndërtu një qytetar duhet t’i ketë minimum tri ari që mendoj se është gabim shumë i madh, por derisa është kjo dispozitë dhe ky plan në fuqi, ne, as unë, por as sot kur një qytetar adreson kërkesën e vetë në Drejtorinë e Urbanizmit nuk mund të refuzohet dhe është në rregull kjo leje natyrisht, aty është leja 6 kate dhe nuk është 10 kate dhe nuk duhet me leju 10 kat”, theksoi Grainca.
Ish-drejtori Grainca, i cili është nënkryetar i LDK-së në Ferizaj, i mohoi zërat se do t’i bashkohet AAK-së.
“Këto janë thashetheme që qarkullojnë që një decenie rreth meje, por unë kam mbet së bashku me shumë të tjerë që nga fillimi e deri më sot në LDK dhe vazhdoj edhe më tutje që të qëndroj në LDK ta zhvilloj aktivitetin, kam qëndruar në LDK edhe kur ka qenë në pozitë dhe në opozitë, kam qëndruar në LDK kur LDK-ja ka qenë në një situatë kur shumë kanë menduar që u kry puna e LDK-së e nuk ka LDK, nja dy herë e kam bërë LDK-në në Ferizaj gati nga zeroja dhe vazhdoj të mbetem anëtar i devotshëm i LDK-së dhe këto janë spekulime ndoshta dëshira të dikujt, dikush mem marr, dikush mem largu, por në esencë janë thashetheme”,tha Grainca.
Grainca kërkoi që të përshpejtohet procesi i hartimit të hartave zonale dhe planet detale, pasi sipas tij, derisa të jetë në fuqi Plani Urbanistik i vitit 2011, në Ferizaj do të ketë situata jo të dëshirueshme sa i përket ndërtimeve, transmeton Televizioni Tema.