Kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, Kristina Gashi-Bytyçi, këtë të enjte ka mbajtur mbledhjen e Komitetit për Politikë dhe Financa. Në këtë mbledhje u diskutua për anulimin e dy vendimeve atë me numër 01.Nr 69 të datës 18.06.2021 si dhe vendimin 01.Nr.35 të datës 25.03.2021.
Ndërkaq drejtorja e financave, Sebahate Ajeti-Sadiku ka bërë propozim-vendimi për transferin e mjeteve sipas buxhetit për vitin 2021. Sipas saj, transferi i mjeteve kërkohet konform nenit 16 të Ligjit nr.07/L-041 për buxhetin e vitit 2021, ku specifikohet se mjetet nga rezervat e komunës mund të barten në kategorinë e shpenzimeve kapitale, pasi që komuna të plotësojë të dhënat e kërkuara sipas manuelit PIP dhe Udhëzimit Administrativ për kriteret përzgjedhëse dhe prioritizimin e projekteve kapitale.
Në këtë mbledhje si pikë shtesë hyri për diskutim edhe Raporti i Auditorit të Përgjithshëm, ndërkaq nga rendi i ditës është hequr propozim-vendimi për regjistrin e emërtimeve rezervë të rrugëve të Komunës së Ferizajt.
Mbledhja e Kuvendit do të mbahet me datën 31 gusht duke filluar nga ora 10:00.