27,12,2024

Ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizmi sfidë për sigurinë kombëtare

Must Read

Nuk ka dyshim që edhe shtetet më të fuqishme të botës janë duke u ballafaquar me dukurinë e terrorizmit. Fenomeni i terrorizmit, aktualisht është duke sfiduar shumë shtete dhe njëkohësisht është shndërruar në një ankth të paparë për individ dhe shoqëri në gjithë globin. Por ajo që duhet të dihet është se, jo të gjitha shtetet duhet t’i qasen me të njëjtën qasje parandalimit dhe luftimit të këtij fenomeni. Secili shtet i posedon specifikat në kërcënimet apo problematikat e tij. Prandaj, metoda apo qasja kundër terrorizmit diktohet pikërisht nga specifikat që kanë shtetet. Shteti i Kosovës për dallim nga shumë shtete të tjera ka specifika të veçanta sa i përket kërcënimeve të brendshme dhe të jashtme. Ato që e dallojnë Kosovën nga shtete të tjera sa i përket kërcënimeve që mund të vijnë nga ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizmi që shpie në terrorizëm, janë se populli shqiptar i  përbëhet nga tre fe (Islame, Katolike dhe Ortodokse). Gjithashtu, ajo që duhet marrë parasysh është edhe fakti i të kaluarës dhe mospajtimeve ndëretnike me shtetin e Serbisë. Andaj, duke marrë për bazë përbërjen fetare të popullit shqiptar të Kosovës dhe çështjeve që kanë të bëj me mospranimin e realitet të pavarësisë së Kosovës nga ana e shtetit Serbë, mundësit që dëmet nga ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizmi që shpie në terrorizëm padyshim se mund të jenë më të theksuara në krahasim me shtetet e tjera. Terrorizmi, jo rrallë shfrytëzohet nga shtete të ndryshme si mjetë për realizimin e qëllimeve politike ndaj ndonjë shteti tjetër. Duke qenë kështu, interesat e shteteve të cilat nuk ja duan të mirën Kosovës, siç janë armiqtë historik të popullit shqiptar, mundohen pareshtur që t’i shfrytëzojnë ekstremistët e dhunshëm dhe radikalistët në favor të tyre për ta mbajtur të destabilizuar shtetin e Kosovës. Si ekstremist të dhunshëm dhe radikalist potencial, që mund të shfrytëzohen në favor të shteteve që nuk ja duan të mirën Kosovës, janë ekstremistët e dhunshëm dhe radikalistët me motive etnike dhe me motive të devijuara fetare. Rreziku nga kërcënimet e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm me motive etnike, padyshim që mund të vijë nga veriu i Kosovës. Shteti fqinjë, tanimë veç i ka të dëshmuara provokimet në baza etnike. Nga kërcënimet e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm, flasin mjaftueshëm rasti i sulmit ndaj njësisë speciale të Policisë së Kosovës, rasti i serbit i nxënë në flagrancë me 12 kg eksploziv në qendër të Prishtinës e shumë raste të tjera. Gjithashtu, rreziku akoma më i madh, mund të vijë nga manipulimet e shteteve fqinje kundër Kosovës dhe mund t’i shfrytëzojnë ekstremistët e dhunshëm dhe radikalistët me motive fetare. Të tillët, mund të manipulohen me lehtësi dhe të kryejnë akte terrori brenda territorit të Kosovës. Politikat e Serbisë, karshi popullit shqiptar në përgjithësi e shtetit të Kosovës në veçanti, janë qartazi politika që dëshirojnë të dëmtojnë çdo gjë të mirë që e posedon Kosova. Në kuadrin e politikave të tilla, që kanë synim dëmtimin e të mirave të Kosovës, padyshim bëjnë pjesë rrënimi i tolerancës ndërfetare e cila na karakterizon në mbarë botën, shkatërrimi i imazhit të Kosovës, krijimi i opinionit ndërkombëtar për shqiptarët se gjëja nuk kanë aftësi shtetformuese, etj. Të gjitha këto veprime ndërmerren nga ky shtet fqinjë me qëllim të parandalimit të investimeve nga donatorë të huaj në Kosovë. Me politika të tilla, Serbia dëshiron që ta mbajë Kosovën ekonomikisht të dobësuar, sepse me një Kosovë të dobët ekonomikisht, në plane afatgjate, Serbia synon ta mbajë Kosovën të varur për te. Prandaj, ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizmi që shpie në terrorizëm, në të gjitha format e shfaqjet, përbëjnë, aktualisht, kërcënimet më serioze për paqen, ekonomin dhe sigurinë e Kosovës, sepse kontribuon jashtëzakonisht në realizimin e qëllimeve politike të Serbisë në raport me Kosovën. Kësisoj, lufta kundër këtyre kërcënimeve, pavarësisht se ku ndodhin apo nga kush vijnë, kërkon që aktorët qeveritarë të forcojnë bashkëpunimin në nivel kombëtar, si dhe atë rajonal e global. Politikat kosovare, duhet të konsistojnë në  kujdes dhe maturi sa i përket menaxhmit të dukurive të tilla, si dhe duhet t’i kushtohet kujdes i veçantë raporteve me popujt fqinjë. Assesi nuk duhet të shfaqim politika të cilat na shpien drejt nacionalizmit destruktiv, sepse kjo mund provokoj nacionalizmin destruktiv edhe nga pala tjetër (Serbia) dhe për pasoj mundet që Kosova të humb përkrahje ndërkombëtare, ndërsa humbja e përkrahjes ndërkombëtare për Kosovën, do të thotë fitore e madhe e Sërbisë karshi Kosovës në rrafshin ndërkombëtar. Siç po e vërejmë, pasojat nga ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizmi që shpie në terrorizëm mund të jenë jashtëzakonisht të dëmshme për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës, sepse dëmton direkt dhe indirekt sigurinë, ekonomin dhe mirëqenien sociale të qytetarëve të Kosovës. Andaj, për Qeverinë e Kosovës është çështje imediate dhe e domosdoshme një qasje profesionale me një bashkëpunim gjithëpërfshirës ndërinstitucional dhe me bashkëpunim rajonal e ndërkombëtar në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm. Paqja, stabiliteti dhe begatia në mbarë rajonin janë po ashtu me rëndësi strategjike për Kosovën. Është në interesin e Kosovës që të nxitë marrëdhënie të mira me fqinjët, mbi bazën e besimit të ndërsjellë dhe përfshirjes, të cilat mbizotërohen nga harmonia ndëretnike dhe ndërfetare, të tejkalohen dhe menaxhohen me mençuri problemet e kaluara, sepse në të kundërtën Kosova ka rrezik të mbetet me probleme afatgjata.

 

Shkruar nga Shklezen Marevci

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Agim Aliu: I gjithë Ferizaj në terr, kjo është e pashembullt!

Ditëve të fundit e veçanërisht sot, Ferizaj po përballet me gjendje të pashembullt e të pandodhur më parë sa...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img