Në zgjedhjet e qershorit ishte njëri nga më të votuarit në PDK, kurse në zgjedhjet lokale Agim Aliu arriti të rikthehet në pozitën e të parit të Ferizajt.
Në një intervistë me shkrim që e ka dhënë për lajmi.net, Agim Aliu thotë se edhe si deputet, por tash edhe si kryetar ka punuar dhe do të punojë për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.
Kryetari i zgjedhur i Ferizajt ka folur edhe për ditët e para të mandatit, problemet me të cilat ballafaqohet kjo komunë, dhe borxhet milionëshe që sipasj tij janë trashëguar nga qeverisja e kaluar.
Agim Aliu thotë se prioritet i tij do të jetë efikastiteti i shërbimeve komunale, duke e kthyer Ferizajn në një qytet funksional.
Për më shumë, lexoni intervistën e plotë.
Lajmi.net: Si ishte viti 2017 për ju dhe për Partinë Demokratike të Kosovës?
Agim Aliu: Viti 2017 për Partinë Demokratike të Kosovës – dega në Ferizaj ishte me mjaft angazhime dhe ofertë konkrete për qytetarët e saj duke pasur parasysh se gjatë këtij viti u zhvilluan dy palë zgjedhje, ato nacionale dhe së fundi këto lokale. 2017-ta e gjen PDK në Ferizaj më të fuqishme dhe më të gatshme për të marrë përgjegjësinë për t’i shërbyer interesit qytetar.
Lajmi.net: Arritët që në zgjedhjet parlamentare të bëheni deputet, e pastaj edhe kryetar i Ferizajt. Cili ishte çelësi i suksesit?
Agim Aliu: Të dy pozitat, edhe si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe tani si Kryetar i Komunës së Ferizajt janë tregues se qytetarët dijnë të vlerësojnë angazhimin e secilit në politikë në përmbushjen e detyrave që marrin. Unë gjatë gjithë karrierës sime politike kam zbatuar një rregull që fjala e dhënë duhet mbajtur dhe politika duhet të jetë gjithmonë në shërbim të qytetarit. Këto besoj janë parakushtet e suksesit në jetën politike. Unë besoj tek këto parime dhe i zbatoj ato në çdo vendim timin.
Lajmi.net: Si po ndiheni më mirë, si kryetar i Ferizajt apo si deputet?
Agim Aliu: Mandatin e Kryetarit të Komunës së Ferizajt e pranova zyrtarisht para pak ditësh. Edhe si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës kam dhënë kontributin tim në Kuvend dhe në komisionet parlamentare.Tash në pozitën e Kryetarit të Komunës së Ferizajt jam më afër kërkesave të përditshme të qytetarëve të komunës që përfaqësoj. Jam vullnetplotë që secilën prej tyre ta shqyrtoj veçanërisht dhe t’i jap zgjidhjen e duhur. Vlerësoj se qytetarët e Ferizajt kanë nevojë imediate për shërbime më efikase komunale dhe realizim të kërkesave të tyre, andaj edhe angazhimi im është në këtë drejtim.
Lajmi.net: Tash edhe keni marrë mandatin si kryetar. Si e keni gjetur komunën e Ferizajt?
Agim Aliu: Komuna e Ferizajt nuk po kalon ditët e saj më të mira në planin financiar. Kemi trashëguar borxhe dhjetëra milionëshe të cilat megjithë kokëqarjen që do të shkaktojnë, nuk do të jenë pengesë për realizimin e programit tim qeverisës. Për këtë dua t’i siguroj gjithë qytetarët e Ferizajt. Ne çdo ditë po marrim në shqyrtim dokumentacionet përkatëse nga drejtoritë vartëse. Natyrisht se për këtë gjendje kam marr edhe mendimin e ekspertëve përkatës të cilët kanë sugjeruar zgjidhjet e tyre për tejkalimin e kësaj situate. Jam besimplotë se mbështetjen për këtë do ta kem edhe nga Qeveria e Republikës së Kosovës, gjithmonë në implementimin e suksesshëm të projekteve tona qeverisëse.
Lajmi.net: Sa jeni optimist që do t’i realizoni premtimet që i keni dhënë gjatë fushatës?
Agim Aliu: Unë jam i vendosur t’i realizoj të gjitha premtimet e dhëna në fushatën elektorale. Gjatë gjithë fushatës elektorale kam konsultuar ekipin tim të ekspertëve për secilën fushë dhe edhe tani do t’i kem bashkëimplementues të projekteve të publikuara. Me gjithë sfidat që ekzistojnë sot në menaxhimin me resurset komunale jam optimist se do t’ia dalim.
Lajmi.net: Cilat do të jenë synimet kryesore për ju si kryetar gjatë vitit 2018 dhe gjithë mandatit?
Agim Aliu: Së pari është e nevojshme të krijojmë një pasqyrë të qartë të gjendjes në institucionet komunale. Ngadalë dhe me konsulta të përhershme me profesionist të vendosim rregullin në ofrimin e shërbimeve komunale. Synim im parësor është efikasiteti i dhënies së shërbimeve komunale dhe përmbushjes së programit tim qeverisës. Këtë ju siguroj se do të realizoj. Ferizaj ka nevojë urgjente të kthehet në një qytet funksional. Bashkë me ekipin tim dhe administratën komunale po angazhohemi çdo ditë për të realizuar këtë synim.
Lajmi.net: Urimi i juaj për Vitin e Ri për qytetarët e Ferizajt dhe gjithë Kosovës?
Agim Aliu: Uroj gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, e në veçanti qytetarët e Komunës së Ferizajt, që viti 2018 të sjell më shumë mundësi për të gjithë, më shumë suksese dhe shëndeti të mbretëroj në familjet e tyre. Viti që po hyjmë uroj gjithashtu të jetë vit i suksesshëm edhe në rrafshin politik, për të implementuar zotimet e gjithësecilit me qëllim lehtësimin e jetës së qytetarëve. Qoftë i mbarë për të gjithë, Viti i Ri 2018! /Besian Beha/Lajmi.net/