Struktura të larta udhëheqëse, prindër dhe arsimtarë, morën pjesë në ditën e shkollës “Muharrem Shemsedini” në Fshatin e Vjetër.
Të pranishmit në këtë manifestim i ka përshëndetur, drejtori i kësaj shkolle Rrahim Sadiku. Ai mysafirët i ka njoftuar me aktivitetet e kësaj shkolle, por edhe më problemeve dhe vështërsitë me të cilat përballen.
Ndërkaq kryetari i komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, ka thënë se kjo shkollë ka një traditë të gjatë e të begatshme arsimimi dhe edukimi, si njëra ndër vatrat me kontribut të çmuar, dhënë brezave të mëparshëm dhe të tashëm.
“ Kjo traditë na bën të ndihemi mirë dhe t’i nderojmë të gjithë ata breza arsimtarësh, të cilët edhe në kohët më të vështira, nuk reshtën së punuari në misionin e tyre të shenjtë: arsimimin e popullatës së kësaj ane. Por sot, jemi në një kohë më dinamike se kurrë, kur njerëzimi ka bërë e po bën arritje të papara intelektuale, teknike e teknologjike. Prandaj, para shkollës shtrohen detyra të reja, për të përballuar trendin e njohurive, shkathtësive e shprehive që kultivohen në botën e përparuar. Sot, më shumë se asnjëherë më parë, nevojitet punë kreative, kontakte me rrjedhat e mësimit dhe edukimit në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara, në mënyrë që proceset integruese të vendit tonë në bashkësinë e vendeve të zhvilluara, të jetë më i lehtë dhe më i natyrshëm”, tha Svarqa.
Për të pranishmit u shfaq edhe një program i pasur kulturo artistik, ndërkaq u ndan mirënjohje për mësimdhënësit e dalluar.