Në këto ditë kur fluksi i mërgimtarëve është më i madh dhe me këtë është rritur edhe numri i makinave në komunikacion drejtori i shkollës fillorë “Gjon Serreçi” në Ferizaj ka marrë një hap që këtyre tu ndihmohet duke u bërë vend për parkimin e automjeteve, gjë e cila këto ditë po u sjellë kokëçarje të gjithë vozitësve.
Drejtori Milazim Dërguti ka vendosur që oborri i shkollës fillore “Gjon Serreçi” në Ferizaj deri më 1 shtatorë tu shërbej mërgimtarëve si parking për automjetet e tyre.
“Në këto ditë kur në qytet është vërtet vështirë të gjesh një vend për të parkuar makinën kam vendosur ti hap dyert dhe hapësirën e oborrit të shkollës ta lëshoi për parking të mërgimtarëve tanë në shenjë të respektit për kontributin që ata po japin për vendin tonë” tha Milazim Dërgitu , drejtor i shkollës “Gjon Serreçi” në Ferizaj.
Dërguti tha se në këtë parking ka edhe orarin i cili bazohet në faktin se gjatë kësaj kohe në shkollë është edhe personeli i shkollës dhe do të mund të kenë një kujdesie edhe ndaj kësaj pjese.
“Ky parking do të jetë i hapur deri më 1 shtator,pra atëherë kur edhe fillon viti i ri shkollorë. Por zakonisht edhe mërgimtarët në këtë kohë kthehen mbrapa” tha Dërguti.
Por edhe qytetarë të cilët po parkojnë veturat në oborr të shkollës kanë përshëndetur këtë gjest të drejtorit të shkollës,
“Parkingjet të cilat gjenden më pagesë në qytet gjatë tërë kohës janë të mbushura. Nuk është në pyetje çmimi por më ka ndodh që të sillem dy e tri herë gjithë qytetit dhe të mos gjejë vend ku të parkohem. Kjo është një gjest i mirë nga ana e drejtorit e këtë e bënë edhe më të mirë fakti se kjo hapësirë është shumë afër qendrës së qytetit” i tha FerizajPress një vozitës i cili me të parë shenjën se është lëshuar për parking u fut brenda dhe dukej sikur e zgjidhi një problem i cili këtyre ditëve nuk po i mundon vetëm ata.