Edhe Komuna e Hanit të Elezit u ka kërkuar mësimdhënësve që të rinisin mësimin.
Drejtori i Drejtorisë për Arsim Kulturë Rini e Sport në këtë komunë, Menduh Vlashi thotë se pas rritjes së pagave për mësimdhënësit nga ana e Qeverisë së Ramush Haradinajt mësimi duhet të rifillojë.
“Drejtoria për Arsim Kulturë Rini e Sport e Komunës së Hanit të Elezit, pas reflektimit pozitiv të Qeverisë për rritje të pagave, kërkojmë nga mësimdhënësit dhe nxënësit e Komunës tonë që të rifillojë mësimi, me qëllimin më të mirë për mos humbjen e orëve të mësimit nga fëmijët tanë. Ne si institucione komunale jemi të përkushtuar së bashku me ju dhe të gjithë akterët që të mos dëmtohet procesi mësimor”, tha Vlashi.
Apelin e njëjtë e kanë marrë edhe mësimdhënësit e Vitisë nga Kryetari i Komunës së Vitisë.
Ndërkohë Juniku,komunë e udhëhequr nga partia e kryeministrit ka njoftuar se nesër do të rifillojë mësimin.
Qeveria ka vendosur të bëjë rritje të pagave për arsimtarët për 20 milionë euro në vit. Kryeministri Haradinaj ka thënë se rritja do të bëhet nga 534 euro në 597 për mësimdhënësit në shkolla të mesme, nga 479 në 525 për ata në arsimin fillor dhe nga 447 në 501 te ata në nivelin parashkollor.
Por sipas SBASHK Greva në arsim do të vazhdojë.