18,11,2024

Edhe gratë duhet të trashëgojnë pronën e tyre

Must Read

Me organizëm të zyrës për barazi gjinore dhe të një fondacioni kanadez në Prishtinë, në sallën e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, është shfaqur një film i shkurtër dokumentar lidhur me të drejtën e pronës edhe për femrat.

Në hapjen e këtij aktiviteti për shënimin e 8 marsit-festës së gruas, të pranishmëve në sallë i është drejtuar kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa. Ai më këtë rast ka thënë se të gjithë jemi bij e bija nënash, ndaj nderimi dhe borxhi i pafund për nënën, si për krijesën që na ka lindur e na ka rritur, është i vetëkuptueshëm dhe nuk mund të shprehet me fjalë.

“Nuk ka kush që mund ta shlyejë borxhin ndaj nënës. Ky borxh kompensohet vetëm nga gjeneratat pasuese, brez pas brezi dhe pa mbarim. Sidoqoftë, të qenit nënë, është shenjtëri e përjetshme, jo vetëm si burim i vazhdimit të jetës, por për shkak të dashurisë së pakusht, dëlirësisë dhe të gjitha mirësive që përmban ky privilegj. Por, a e ka nderuar gjithmonë shoqëria jonë mjaftueshëm gruan, nënën, femrën në përgjithësi? Them se ne kemi shumë borxhe të trashëguara nga e kaluara e largët dhe ajo e afërt, ndaj nënave tona, kur gruan, sipas traditës shqiptare, e kemi trajtuar si “një calikë për me mbajte në shpinë”. Pra, si një barrë të domosdoshme. Po ta shohim anën e ndritshme të traditës sonë, vërejmë se gruan e kemi trajtuar si “burrneshë”, e cila shpesh ka zgjidhur edhe probleme të ndërlikuara, atëherë kur burrat nuk ia kanë dalë. E kemi parë gruan edhe si luftëtare për të drejta kombëtare e shoqërore. Por, po ta shikojmë anën e errët të kësaj tradite, del se, për fat të keq, ka mbisunduar trajtimi i gruas si një rob në familje, pa kurrfarë të drejtash. Gruaja është rrahur, është privuar të dalë a të bëjë çfarëdo veprimi në publik pa lejen e burrit. Pa lejen e burrit gruaja nuk ka mundur të vizitojë as të afërmit e saj. Të mos flasim për të drejta të tjera më të avancuara. Për fat të keq, një pjesë e kësaj tradite të mbrapshtë është ngulitur aq shumë tek ne, sa që aspekte të saj vazhdojnë të jetojnë edhe sot e kësaj dite. Nga këndvështrimi im, megjithë përparimin e jashtëzakonshëm, gruaja bashkëkohore, sot e këtu, ende nuk është plotësisht e barabartë me burrin. Ajo ka për të zhvilluar një betejë ende shumë të gjatë e të mundimshme për të fituar të drejtat e saj të ligjshme. Shembuj pa dyshim që ekzistojnë, por duhet që ata shembuj të mirë të masivizohen dhe të përhapen gjerësisht”, ka thënë kryetari Svarqa.

Ai tutje është shprehur se ne çdo ditë e më shumë shohim femra të punësuara, që ndihmohen përherë e më shumë nga burrat në të gjitha punët e përditshme, shohim përditë e më shumë femra që ngasin automjetet dhe që zgjedhin profesione, të cilat deri vonë konsideroheshin vetëm për meshkuj. Por, ajo që duam të shohim, janë përpjekjet këmbëngulëse për barazi së pari në familje, në rrethin shoqëror dhe në shoqëri në përgjithësi. Këto përpjekje mund të fillojnë që nga edukimi i fëmijëve me kultivimin e ndjenjës së barazisë. Duam të shohim se si nënat i kanë marrë përsipër përpjekjet e pareshtura për t’i mësuar fëmijët e tyre, në radhë të parë, se femrat kanë të drejtë për të vendosur për çdo gjë që ka të bëjë me jetën dhe me mirëqenien e tyre, përfshirë edhe të drejtën e trashëgimisë. E drejta e trashëgimisë është aktualizuar kohët e fundit ndër ne si kurrë më parë. Po bëhen fushata gjithandej për t’i vetëdijesuar femrat për të drejtën e tyre, por edhe meshkujt që ta respektojnë këtë të drejtë. Unë jam i vetëdijshëm se nuk do të jetë punë e lehtë për ta reformuar mendësinë e shtresuar me shekuj, por është mirë që e kemi filluar këtë rrugëtim, i cili nga ka dyshim se do të arrijë suksese. Por, për sukses duhet punë dhe këmbëngulje. Jam i bindur se përpjekjet dhe këmbëngulja e femrës për të realizuar të drejtat e saj, nuk do të mungojnë. Nuk do të mungojë as mbështetja e gjerë shoqërore. Sepse sa më të qytetëruar që ta kemi gruan, aq më të qytetëruar do të jemi si shoqëri”, ka përfunduar kryetari Svarqa.

Të pranishmet në këtë aktivitet i ka përshëndetur edhe Vjollca Krasniqi, e cila ka theksuar se viteve të fundit Komuna e Ferizajt, ka shënuar rekord sa i përket trashëgimisë së pronës. Ajo me këtë rast ka ftuar të gjithë femrat që të bëjnë përpjeke maksimale që të trashëgojnë pronën e tyre.

Me rastin e festës së 8 marsi janë parapare edhe aktivitete të tjera që do të mbahen gjatë ditës së sotme.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Aksident në Ferizaj, përfshihen tri vetura – lëndohen 5 persona

Pesë persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti në mes tri veturave ne Ferizaj. Aksidenti ndodhi në rrugën...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img