(Heroinës Hyrë Emini-Mira, luftëtare me shpirt artisteje)
E kujtoj atë kohë, moj e Mira Hyrë
Kur shkruaje e recitoje poezi
Sa ëmbël trokisje mbi t’zezën mynxyrë
Dhe i shtojë të bardhë, ngapak Shqipëri
Moj e Mira Hyrë, e kujtoj atë kohë
Kur flije e zgjoheshe mbi ëndrrën e ngrirë
Si hënë e ndritshme, në sqotë e llohë
I jepje zjarr ëndrrës, moj Hyra e Mirë
Ishte kohë kur shkreptinin rrufetë
Nga palcë e ndrydhur e qiellit të fryrë
Nga një varg yti mbinte lulja jetë
Me petale shqipeje, moj e Mira Hyrë
Hapi yt i lehtë, i thellë, i fismë
Si gurgullimë kroi përplot me freski
Patjetër që në vjershë ka vend dhe një krismë
Që endet si shkronjat nëpër Shqipëri
Rruga e kalldrëmtë tani është bërë shesh
Në qytetin tënd, që me gurët gdhirë
Hyjnitë sot u ulën dhe ne mbajtëm vesh
Seç folën me ty, moj Hyra e Mirë
E di se ç’fjalë nxorët nga zjarri i tokës
Sepse lart u shkruan, atje sipër resh
Si shkëndija të lira morën udhë botës
Dhe tok me flamurin ndriçuan mes nesh
Moj Hyra e Mirë, malet po blerojnë
Se vesë e mëngjeseve të tyre je- Ti…
Ku kredh e freskon sytë vetëm një Shqiponjë
Pastaj bashkë i mblidhni majat nëpër Shqipëri…!
Moj Hyra e Mirë, nga ç’qiell zbrite ti…
N’galaktik’ të bardhë, dhe ti vet’ një yll
Një Diell në shndrit’të prap` në Iliri
Një rreze do t’jesh Ti, moj e Mira Hyrë
Moj e Mira Hyrë, mbi gjakun tënd të dëlirë
Po ngre shtat Shqipëria, Moj Hyra e Mirë…
Besim Zymberi
Ferizaj
6 mars 2017