Ferizaj, 15 Dhjetor 2021 – Gjykata Themelore në Ferizaj, ka shpall aktgjykim dënues ndaj
të pandehurit A.R shtetas të Republikës së Kosovës dhe shtetas të Republikës së
Maqedonisë dhe S.A. shtetas të Republikës së Kosovës, të akuzuar sipas aktakuzës së
Prokurorisë Themelore në Ferizaj, për shkak të veprës penale të kryer në bashkëkryerje
blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve, substancave
psikotrope dhe analoge nga neni 267 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të
Republikës së Kosovës (KPRK).
Kryetari i Trupit Gjykues i Departamentit për Krime të Rënda, pas mbajtjes së shqyrtimit
gjyqësor, administrimit të gjitha provave për veprën penale si në aktakuzë, të pandehurin
A.R e gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej gjashtë (6) vjet e gjashtë (6) muaj, dhe
dënim me gjobë në shumë prej pesëmbëdhjetë mijë euro; të pandehurit S.A. e gjykoi me
dënim burgimi në kohëzgjatje prej gjashtë (6) vjet dhe dënim me gjobë në shumë prej
dhjetëmijë euro.
Gjykata konform dispozitave të KPRK-së, konfiskon në mënyrë të përhershme
njëmbëdhjetë (11) pako me lëndë narkotike të llojit heroinë me peshë neto të
përgjithshme 5432.88 gram dhe vetura e tij e markës “Wolsfagen Golf”.
Të pandehurit akuzohen se më 8 tetor 2020 në Ferizaj, kanë poseduar pa autorizim me
qëllim të shitjes substancës narkotike të llojit heroinë, në atë mënyrë që pas marrëveshjes
mes tyre i pandehuri A.E lëndën narkotike e ka siguruar nga persona të panjohur në
Maqedoni, pas kësaj e ka sjellë tek një restorant në Ferizaj, ku është takuar me të
pandehurin S.A, i cili e ka vendosur në veturën e tij të markës “Wolsfagen Golf”, të cilën e
ka dërguar në një depo në oborrin e shtëpisë së vëllait të tij, ndërsa gjatë zbatimit të
urdhër kontrollit nga Njësiti Antidrogë, me ç` rast kanë gjetur një çantë në të cilën ishin të
vendosura 11 pako me lëndë narkotike të llojit heroinë me pesë neto të përgjithshme
5432.88 gram, e cila është sekuestruar nga policia.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15)
ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës
së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.