Në mëngjesin e së enjtes, një aksident trafiku ka ndodhur në magjistralen Ferizaj-Gjilan. Nga ky aksident kanë pësuar lëndime të lehta trupore dy persona.
Dy persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti në mëngjesin e së enjtes në magjistralen Ferizaj-Gjilan, përkatësisht në fshatin Sojevë të Ferizajt.
Lajmin e ka konfirmuar, Zëdhënësi i Policisë në Ferizaj, Kanun Veseli.
Ai ka thënë se personat kanë pësuar lëndime të lehta trupore, të cilët janë dërguar për ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj.
Veseli ka bërë të ditur se në këtë aksident komunikacioni janë përfshirë një automjet në lëvizje dhe dy automjete të parkuara, ku shoferi ka humbur kontrollin mbi automjetin dhe ka dalë jashtë rruge, kështu duke goditur automjetet që ishin të parkuara.
“Sot, rreth orës 07:00 në rrugën magjistrale Ferizaj- Gjilan, më saktësisht në fshatin Sojevë të Ferizajt ka ndodhur një aksident komunikacioni ku janë përfshirë një automjet në lëvizje dhe dy automjete të parkuara. Deri te aksidenti i komunikacionit dyshohet të ketë ardhur kur një automjet i udhëtarëve po qarkullonte nga Ferizaj në drejtim të Gjilanit dhe në fshatin Sojevë, shoferi humb kontrollin mbi automjetin e tij dhe del jashtë rruge, ku i godet dy automjete që ishin të parkuara. Veç dëmeve të shkaktuara materiale lëndime të lehta trupore pësojë dy persona të cilët dërgohen për ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj”, ka thënë Veseli.