Shkolla fillore “Vezir Jashari” në Ferizaj dhe “Abetarja” në fshatin Softaj, janë dënuar me nga 1 mijë euro nga Inspektorati i komunës së Ferizajt, për shkak se nuk kanë mbajtur higjienën në nivelin e duhur dhe nuk kanë respektuar masat për parandalimin e përhapjes së pandemisë Covid-19.
Enver Sopa, inspektor sanitar në Ferizaj, tha se në shkollat e tjera të kësaj komune kanë shqiptuar vërejtje, të cilat do t’i inspektojnë prapë për të shikuar nëse janë përmirësuar.
“Kemi bërë një inspektim të rregullt nëpër shkolla, kemi dhënë vërejtje dhe janë shqiptuar për dy shkolla edhe gjoba për shkak se nuk u janë përmbajtur kushteve dhe masave për parandalimin e Covid-it, po ashtu janë dhënë vërejtje ku do të bëhet riinspektim aty ku kemi dhënë vërejtje me shiku sa janë zbatu masat. Unë e di që ka probleme në shumë shkolla, por material anti-Covid dhe material higjienik kanë mjaftueshëm, po ashtu shkollat në këtë kohë nuk kanë qenë shumë të ngarkuara me nxënës dhe mundësitë që të mbahet higjiena ka qenë dhe është shumë më lehtë”, tha Sopa.
Sopa tha se pas inspektimit të shkollave, kontrolla do të bëhen nëpër lokale ushqimore të cilat ndodhen pranë shkollave.
“Do të vazhdohet tani me inspektim edhe në objektet ushqimore që janë afër shkollave pasi lidhen me njëra tjetrën, edhe pse ne nuk jemi për me shqiptu gjoba, por nëse nuk respektohen masat ne duhet me kry punën tonë”, theksoi Sopa.
Në Drejtorinë e Arsimit në Ferizaj thonë se këto gjoba dhe vërejtje do të ndikojnë në ngritjen e nivelit të higjienës.
“Ne kemi bërë një punë jashtëzakonisht të madhe në këtë drejtim, kemi intervenuar në të gjitha shkollat që kanë pasur nevojë për intervenim qoftë në nyje sanitare apo në pajisje që u kanë munguar. Ne kemi krijuar kushte dhe mundësi për të pasur një pastërti në nivelin e duhur duke i furnizuar me mjete higjienike dhe dezinfektantë dhe kemi kërkuar që të mbahet pastërtia, ndërsa në shkollat që ka probleme të nyjeve sanitare kemi kërkuar që të bëhet një tolerim edhe pse 95% e shkollave nuk kanë probleme të tilla, përjashto këtu 2-3 shkolla që i kanë të prishura nyjet sanitare apo janë të vjetëruara”, tha Llabjani.
Gjobat e shqiptuara nga Inspektorati Santiar, do të paguhen nga drejtorët e shkollave, transmeton Televizioni Tema.