Në një takim të zhvilluar mes Drejtorit të Drejtorisë për Bujqësi dhe Pylltari, Burim Bajrami dhe Drejtorit të shkollës së Agrobiznesit dhe Teknologjisë “Zenel Hajdini”, Abdullah Imeri është biseduar për mundësitë e bashkëpunimit dhe avancimit të punës praktike në shkollë.
Drejtori, Burim Bajrami në këtë takim ka shprehur gatishmërinë që të mbështesë disa projekte në këtë shkollë me qëllim të avancimit të punës praktike në profilet e Agrobiznesit.
Drejtori Bajrami tha se për një zhvillim më të mirë dhe përgatitje të kuadrove rruga më e mirë është që të investohet në shkollat profesionale, aty ku bëhet përgatitja e kuadrove për tregun e punës.
“Si Drejtori e Bujqësisë dhe Pylltarisë gjithmonë e kemi pasur prioritet që përveç investimeve në bujqësi, të përgatisim edhe kuadro të rinj që janë garancion i një të ardhme më të sigurt. Kësaj radhe jemi duke punuar që në shkollën e Agrobiznesit të realizojmë një projekt, i pari në Kosovë, jo vetëm në shkolla. Përmes këtij projekti do të përgatiten kuadro për të cilët më nuk do të jetë problem kualiteti i tokës por që prodhimi do të jetë në duart e tyre” ka thënë Burim Bajrami.
Bajrami bëri të ditur se ky projekt do të lehtësojë punën në bujqësi, rriti prodhimin dhe cilësinë e produkteve që do të prodhohen.
“Këtë vit do të provojmë me nxënësit e shkollës së Agrobiznesit, dhe varësisht prej suksesit, e që nuk dyshoj se nuk do të ketë sukses, do ta kemi në agjendë edhe për projekte me subvencione me bujqit ferizajas” ka thënë Bajrami
Për këtë gatishmëri është shprehur falënderues Drejtori i shkollës së Agrobiznesit dhe Teknologjisë “Zenel Hajdini”, Abdullah imeri, i cili tha kur gjen një gatishmëri të tillë për përkrahje është kënaqësi që të punosh për përgatitjen e gjeneratave të reja.
Se vërtetë Drejtori Burim Bajrami e ka prioritet përgatitjen e kuadrove profesionale tregojnë edhe mbështetja që ai po i bënë kësaj shkollë për katër vite radhazi. Projekti i Ambulantes Veterinare, i pari në shkollat profesionale në Kosovë, ngritja e tri serrave, furnizimi me materiale harxhuese, plehra kimike, fidanë të pemëve, drunj dekorativ dhe me makineri janë vetëm disa nga projektet që është ndihmuar shkolla e Agrobiznesit nga kjo Drejtori.