25,12,2024

“Drama” prej mospërkrahjes së Festivalit të Teatrove deri tek ideja e memorandumit

Must Read

Në kuadër të mbështetjes së aktiviteteve kulturore e të trashëgimisë kulturore me gati 2.8 milionë euro, Ministria e Kulturës nuk ia ka ndarë asnjë cent Festivalit të Teatrove në Ferizaj. Të hënën organizatorët e Festivalit kanë reaguar për këtë çështje, përderisa janë përkrahur nga shumica e teatrove publike e ata të pavarur në vend. E tash MKRS-ja thotë se ka gjetur një opsion për të përkrahur Festivalin

Vitin e kaluar në edicionin e 52-të të ngjarjes, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, midis të tjerash, kishte ndarë edhe Çmimin për shfaqjen më të mirë në Festivalin e Teatrit në Ferizaj. Por sivjet institucioni që ai e udhëheq nuk e ka përkrahur fare edicionin e radhës të Festivalit me traditën më të gjatë në Kosovë e një prej më të njohurve në rajon. Në kuadër të mbështetjes së aktiviteteve kulturore e të trashëgimisë kulturore me gati 2.8 milionë euro, MKRS-ja nuk ia ka ndarë asnjë cent kësaj ngjarjeje kulturore. Të hënën organizatorët e Festivalit kanë reaguar për këtë çështje, përderisa janë përkrahur nga shumica e teatrove publikë e ata të pavarur në vend. Por tash MKRS-ja thotë se ka gjetur një opsion për të përkrahur Festivalin.

“Festivali i Teatrove në Ferizaj 2023, edicioni i 53-të, këtë vit kishte filluar përgatitjet muaj më parë për të marrë një goditje të ulët pak muaj para mbajtjes së tij”, shkruhet në reagimin e organizatorëve. Festivali organizohet nga teatri “Adriana” në Ferizaj. Madje në posterin e reagimit në vend të Ministria e Kulturës është shkruar “Ministria e Kuturusë”.

Sipas organizatorëve, është evident, pothuajse i padiskutueshëm fakti se Festivali i Teatrove në Ferizaj është ngjarja ndër më kryesorët teatrore mbarëshqiptare, “për të mos thënë ngjarja e vetme teatrore që për shumë vjet sjell në skenën teatrore, në konkurrencë të fortë, artistët më eminentë shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare”. Sipas tyre, Festivali i Teatrove në Ferizaj koncensualisht konsiderohet ndër festivalet më të vjetra në rajon, festival që ka nxjerrë emra artistësh e ka krijuar kulturën e debatit dhe zhvillimit të jetës teatrore e kulturore në përgjithësi. “Festivali i Teatrove nuk është vetëm një festival i Ferizajt, por me të drejtë konsiderohet festival i Kosovës, sepse në disa vjet është mbajtur edhe në qytete të tjera të Kosovës (Prizren, Gjilan, Prishtinë e të tjera), i tillë komentohet e perceptohet nga vetë komuniteti teatror”, shkruhet në reagim. Si një “cirk të paprecedent” e kanë vlerësuar procedurën e thirrjes së MKRS-së për të përkrahur ngjarjet kulturore.

“Loja ‘listash’ e MKRS-së ishte një gallatë e vërtetë e përshfaqjes publike të një amatorizmi e papërgjegjësie të jashtëzakonshme institucionale. Fillimisht u publikua lista e rezultateve preliminare, ku shumë ngjarje tradicionale të rëndësishme e organizata kredibile kishin mbetur jashtë mbështetjes, e shumë organizata të tjera të panjohura kishin kapur shuma të mëdha eurosh që sigurisht do t’i kenë befasuar vetë aplikuesit”, shkruhet në reagim. “Festivali i Teatrove ishte jashtë listës në rezultatet preliminare, pastaj jashtë listës në ‘rruferezultatet’ finale, si dhe jashtë listës në rezultatet finale”, shkruhet menjëherë më pas.

Organizatorët pretendojnë se kanë plotësuar të gjitha kriteret e kategorisë ku kanë aplikuar. Pavarësisht krejt kësaj, sipas tyre, edhe sikur të kishte kriter që Festivali i Teatrove në edicionin e 53-të të mos e plotësonte, “aq më keq për kriteret dhe për hartuesit e atyre kritereve që përjashtojnë një festival të tillë…”,

Kanë kritikuar anëtarët e komisionit vlerësues Fatbardha Nasufi, Milot Mustafa, Eronita Januzaj, Detjan Hulaj dhe Nafije Misinin, kanë pyetur se çfarë duhet të bëjë një festival që të meritojë vlerësimin e një komisioni në përbërje të plotë me “anonimus për komunitetin teatror?”

“Është i paimagjinueshëm guximi për këso vendimesh skandaloze të atyre që marrin vendime historike të papërgjegjshme pa pikë keqardhjeje e reflektimi. Ministri Hajrullah Çeku, duke mbyllur njërin sy, në emër të pavarësisë së komisioneve, vazhdon që për tre vjet radhazi të mos financojë (2021), të financojë më shumë vështirësi pas shumë ankesave tona (2022) dhe sërish të mosfinancojë këtë vit (2023) Festivalin e Teatrove. E gjithë kjo nuk arsyetohet, nuk ka shpjegim, është politikë e pamençur dhe ulët e së paku ofenduese për qytetarët e Ferizajt”, shkruhet në reagim. Aty bëhet e ditur se nuk kanë marrë asnjë lloj sqarimi nga MKRS-ja. Është paralajmëruar se edicioni i sivjetmë do të mbahet prej 27 gushtit deri më 4 shtator.

“Asgjë nuk mund ta ndalë shkëlqimin e tij, performacën e aktorëve, inovacionit regjisorial, mjeshtërinë e shkrimit, bukurinë e skenografisë e kostumeve, ndejave të ‘rock and roll-it’. Pra, teatri nuk ndalet, Festivali i Teatrove – Ferizaj 2023 nuk pushon. Me ketë rast shprehim mirënjohje për gatishmërinë e komunitetit teatror dhe teatrove të ndryshme që jo vetëm moralisht, por edhe me pjesëmarrje të drejtpërdrejtë, me vetëfinancim do të performojnë në eventin kryesor teatror në rajon – Festivali i Teatrove – Ferizaj”, shkruhet në reagim.

Ashtu si për shumë ngjarje të tjera, MKRS-ja kur e kishte publikuar listën preliminare, mosfinancimin e këtij festivali e kishte arsyetuar me: “Nuk e plotëson kriterin e veçantë Kategoria 1; pika 4”. Por organizatorët kanë pasur shpresë se do të gjendeshin në listën përfundimtare. E kjo e fundit është histori më vete. E enjtja dhe e premtja e javës së kaluar ishin ditët e lojës me lista.

Të enjten në mbrëmje e kishte publikuar një “listë përfundimtare…” e po ashtu e kishte fshirë pas nja një ore. Pa u bërë 24 orë, të premten kishte dalë me listë të re për përfituesit e “Thirrjes për projekt-propozimet kulturore 2023”. Të renë e kishte fryrë për fiks 283 mijë e 805 euro, ishin shtuar edhe 11 projekte. Me listën e “avulluar” nja një orë pas lansimit ishin 106 projekte. Tash janë 116, plus një pa numër rendor. Te fryrja e shumës futen projektet e reja dhe rritja e buxheteve për disa prej projekteve fituese.

Krejt kjo histori me tri lista është zhvilluar brenda dy javësh. Më 16 qershor protokolloi listën preliminare të organizatave joqeveritare përfituese nga thirrja publike “Art dhe trashëgimi kulturore”. Aty figuronin 36 projekte, përkrahur me 808 mijë e 510 euro, tek goditi ngjarje e organizata bartëse të skenës kulturore në vend, si: “DokuFesti”, “Artpolisi” e “Chopin Piano Fest” apo qendra “Multimedia”. La pesë ditë afat ankesash, deri më 26 qershor, e nuk iu deshën më shumë se tri ditë që t’i shqyrtonte ato dhe prej 36 projekteve të bëhen 106. Dallimi në buxhet: 1.7 milionë euro, kur prej 808 mijë eurosh u bë 2.5 milionë. Lista doli të enjten vonë në ueb-faqe dhe në profilin zyrtar të MKRS-së në Facebook. U hoq prej aty për t’u zëvendësuar të premten me listën e radhës me 11 projekte shtesë dhe mbi çerek milioni më shumë buxhet. Por, jo edhe për Festivalin e Teatrove në Ferizaj.

Reagimi i organizatorëve është përkrahur goxha. Teatri “Hadi Shehu” në Gjakovë e ka vlerësuar këtë ngjarje si një trashëgimi shpirtërore të kultivuar ndër breza.

“Prandaj i bëj thirrje Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit që ta rishqyrtojë vendimin e tyre dhe të mos ia kthejnë shpinën këtij festivali. Përkundrazi, ishte dashur që të financohej apriori çdo vit dhe të mirëmbahej si i ka hije. Ka plot festivale që fillojnë dhe mbarojnë pa ju ndier zëri, shuhen qysh në dy ose tri edicionet e para, por ky festival nuk është prej të atillëve”, shkruhet në reagimin e teatrit “Hadi Shehu”. Në mbështetje ka dalë edhe qendra “Multimedia”. Madje udhëheqësi i kësaj kompanie teatrore kishte ngritur zërin për këtë çështje qysh javën e kaluar.

“Ajo çfarë më bëri përshtypje në atë blic-listën e rezultateve ishte mungesa në listë e Festivalit të Teatrove në Ferizaj. Është thjesht e pakuptueshme dhe e pabesueshme se si një festival teatri me kaq traditë të gjatë – më i vjetri në vend, mund të injorohet në ketë mënyrë?”, kishte thënë Neziraj. Nuk e kishte lënë me kaq.

“Por ndoshta kanë menduar ta mbështesin përmes ‘derës se vogël’, siç bënë me ‘Flakën e Janarit’, duke e mbështetur përmes një ‘memorandumi’. E në atë rast shpresoj që nuk do të jetë pengesë fakti se kryetari i Komunës së Ferizajt nuk vjen nga VV!”, ka thënë ai. Dhe parashikimi i tij ka dalë i saktë.

Ministria e Kulturës planifikon që të ketë një memorandum bashkëpunimi me këtë ngjarje.

“Festivali i Teatrove, si një ndër ngjarjet e rëndësishme kulturore në vendin tonë, organizimi i teatrit të qytetit të Ferizajt ‘Adriana’ do të mbështetet nga Ministria e Kulturës. Për të siguruar financim adekuat dhe të qëndrueshëm për këtë festival tradicional kemi propozuar që të nënshkruhet një memorandum bashkëpunimi mes Ministrisë, Komunës dhe teatrit ‘Adriana’. Përmes kësaj forme do të sigurohej mbështetje afatgjate (jo vetëm për edicionin e sivjetmë) dhe në të njëjtën kohë do të shmangeshin peripecitë e organizatorit që për çdo edicion të aplikojnë përmes një OJQ-je në thirrjet e institucioneve publike”, shkruhet në përgjigjen që KOHËS ia ka dhënë Zana Fetiu, këshilltare e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku./Koha.net

- Advertisement -spot_img
Të fundit

KESCO kërkon që të kursehet energjia elektrike: Gjatë natës ndalni kondicionerët, bojlerët e ngrohëset me rrymë

Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka bërë apel gjithë qytetarëve që të kursejnë energjinë elektrike. Margarita Rashiti,...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img