Viti 2023 jo për të gjithë ka nisur mbarë, të paktën jo për pronarin e fabrikës së stiroporit në Ferizaj “Al Por”, Ilir Abazin. Në orët e mesnatës së 1 janarit, fabrika e tij e cila ndodhet në Fshatin e Vjetër është përfshirë nga zjarri. Fatmirësisht, nuk ka persona të lënduar, por, dëmi material po pretendohet të jetë i lartë.
Detaje për rastin ka dhënë pronari Ilir Abazi. Ai konfirmoi se janë duke e pritë përgjigjën e ekspertit të zjarreve për të kuptuar arsyet e incidentit.
Abazi tregoi se sa punëtorë i kishte punësuar në këtë pikë dhe planet që kishte tutje.
“Jo ende nuk dimë asgjë. Jemi duke e prit përgjigjën e ekspertit zjarrit me pa saktë ku është problemi. Ne kemi startu qe 6 muaj në pikën e re. Për momentin jemi katër persona që punojmë këtë pikë teksa planifikoja që deri në pranverë t’i marrë 7 punëtorë të tjerë, mirëpo tash spo e di”, ka deklaruar ai për Insajderin.
I pyetur lidhur me vlerën e dëmit, ai ka mohuar të dhënat e publikuara nga Policia e Kosovës se dëmi sillet rreth 40 mijë euro, Abazi pretendon se është më i lartë.
40 mijë sipas tij mund të ketë kushtuar vetëm një maqinë.
“Jo nuk është e vërtetë qe 40 mijë euro. Vlera është shumë më e lartë, mbi 350 mijë euro vetëm investim janë, tash janë dëmtu duhet me këqyre saktë, 40 mijë mundet me kanë veç për njërën maqinë është e mundur që kanë bërë gabim policia në raport”, ka thënë ai për Insajderin.
Abazi majde ka deklaruar se ende nuk e ka dhënë deklaratën e tij në Polici të Kosovës.
“Unë ende nuk e kam dhënë deklaratën, pritet këto ditë, saktë se di kur”, u shpreh pronari i “Al Por.