Ferizaj.31.01.2018. Gjatë ditës së mërkurë është mbajtur mbledhja e parë e Kuvendit Komunal, e cila u udhëhoq nga kryesuesja Kristina Gashi-Bytyqi. Ajo fillimisht ka prezantuar pikat e rendit të ditës që ishin paraparë për këtë mbledhje e më pas kanë filluar edhe diskutimet nga ana e asamblistëve.
Në këtë mbledhje, betimin e dhanë dy anëtarë të rinj të Kuvendit, ishte Zymrije Haxhimusa nga radhët e AAK-së dhe Xhafer Berisha nga Nisma për Kosovën.
Njoftimin për emërimin e Drejtorëve të Drejtorive Komunale, e bëri numri një i qytetit të Ferizajt, Agim Aliu. Ai tha se deri tek përzgjedhja për këta drejtorë ka ardhur si rezultat i politikave të bashkëpunimit, ndërsa drejtorët e rinj janë personalitete të dëshmuara.
“Në përzgjedhjen e drejtorëve, kam pasur parasysh gjetjen e kualiteteve, të cilat njëkohësisht do të përputheshin edhe me pritjet e qytetarëve të Komunës sonë. Profesionalizmi, energjia e re, kreativiteti si dhe motivimi për sendërtimin e politikave zhvillimore për komunën tonë kanë qenë kriteret e mia për emërimin e bashkëpunëtorëve të mi të parë. Jam i bindur që kjo përbërje e kabinetit tim, më shumë se për kah origjina politike e të emëruarve, do të mbahet mend për profilin qytetar të angazhimit, profil ky që do të jetë gjithnjë i gatshëm të mbështesë dallimet eventuale, në shërbim të identifikimit të ideve që na unifikojnë, drejt krijimit dhe ekzekutimit të politikave që do ta përmirësojnë cilësinë e jetës së bashkëqytetarëve tanë, në të gjitha segmentet”, është shprehur kryetari Aliu.
Ai ka vë në dukje se përveç moshës së re të shumicës së drejtorëve të drejtorive të reja, energjisë e kreativitetit ambicioz të tyre është i bindur që inkurajon shumë edhe statusin profesionist të tij.
‘Që të gjithë janë personalitete të dëshmuara dhe me rezultate të shquara në fushën e menaxhimit, me theks të veçante, në fushar ku tanimë kanë marre edhe përgjegjësitë e caktuara. Një përbërje e tillë, më bën mua që me plot besim e optimizëm, të deklaroj para anëtarëve të Kuvendit të Komunës dhe para qytetareve të Ferizajt, së në mandatin qeverisës katër vjeçare, d të përmbushen dhe do të tejkalohen të gjitha zotimet e dala nga platforma ime programore elektorale, për zhvillimin e mëtutjeshëm të Komunës sonë”, ka deklaruara kryetari Aliu.
U mor vendim edhe për themelimin e komiteteve të përhershme siç është ai i Komiteti për Politikë e Financa që do të përfaqësohet pothuajse nga të gjitha subjektet politike, por edhe për komunitetin për komunitetet.
Ndërkaq në komisionin për ndarjen e bursave u caktuan edhe dy anëtarë të Kuvendit të Komunës të cilët janë Flora Abudllahu nga Parrtia Demokratike e Kosovës, si dhe Saranda Musliu nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Me polemika të shumta është marr vendim edhe për zgjedhjen e anëtarëve të komisionit komunal të aksionarëve në ndërmarrjet publike si në KRM “Pastërtia, KRUK “Bifurkacioni”, N.P “Stacioni i autobusëve” si dhe në ndërmarrjen publike “Ambineti”.
Pa zhurmë nuk kaloi as pika e propozuar nga drejtori i Drejtorisë së Urbanzimit Lulzim Aliu, e i cili ishte propozim- vendimi për fillimin e procedurave për rishikimin e PZHK-së, përkatësisht rishikimi i destinimeve të pronave publike dhe pronave private që janë të destinuara për qëllime publike në PZHK të miratuar më 21.09.2017 në Kuvendin Komunal të Ferizajt si dhe përmirësimin e gabimeve teknike në pjesën tekstuale, hartografike dhe digjitale me qëllim të harmonizimit të tyre. Për këtë plan reagoi partia opozitare LDK në Ferizaj, duke e quajtur këtë si një vendim për rishikim si i pa bazë.
“Asnjë ligj dhe asnjë udhëzim administrativ nuk e parasheh rishikimin si mundësi. Mendoj që juve dhe gjithë neve na takon kjo përgjegjësi që ta vendosim dorën në zemër dhe të mendojmë për të ardhmen e atyre që vijnë pas nesh, sepse ky qytet nuk është veç i neve që jemi gjallë. Ne nëse nuk e kemi një vizion që të mendojmë me larg e kemi gabim që jemi ulë këtu. Unë po ju lus, por ju kurrë mos votoni pse unë po propozoj, sepse e di e keni shumicën e votave dhe në demokraci shumica vendos. Zona tek spitali deri tek shtëpia e pensionistëve, është e vetmja mundësi që sot të shpëtohet për gjelbërim dhe parkingje nëntokësore. Ky është një kamuflim që i bëhet këtij Kuvendi, sepse qëllimi është nga oligarkët e ndërtimit që mua fare s’më intereson a janë të lidhur me dikë prej pushtetit”, tha ish-kryetari Muharrem Svarqa, i cili tha se pozitën e anëtarit të Kuvendit do ta ushtroj me ndërgjegje të plotë, pa ndjenjën e fyerjes..
Në anën tjetër, drejtori i Urbanizmit i cili po zotohet se rishikimi i PZHK-së nuk do të bëhet me parimin e politikës dhe interesave klanore, tha se platforma qeverisëse e Agim Aliut nuk mund të filloj të zbatohet pa rishikimin e këtij dokumenti .
“Ish-kryetari i ka ndërru rolet tash, prej asaj që ka qenë i akuzuar që mafia e ndërtimit e ka bërë Planin Zhvillimor tash ky veç e ka ndërruar termin, tash ky po thotë oligarkët. Unë jam tu dashtë me punu dhe me qet plan unë s’muj me punu. Ta keni parasysh e tregoj edhe vendimin e Kuvendit janë anuluar të gjitha aktet, të gjitha vendimet që kanë të bëjnë me planin hapësinor që kanë qenë më herët. Nëse dojna ne spitalin me ndërtu sot nuk mundemi sepse duhet me miratu leje të ndërtimit,e shumë gjera të tjera”, tha Lulzim Aliu
Për rishikimin e Planit Zhvillimor Komunal, në adresë të pushtetit pati kritika edhe partneri i koalicionit nga radhët e AAK-së Xhavit Zariqi.
“Ajo që mu nuk po më duket e sinqertë dhe nuk është fare e sinqertë që nuk po thuhet e vërteta. Ndryshimi i Planit Zhvillimor është i papranueshëm dhe i jashtëligjshëm. Së paku është e palogjikshme që ka filluar zbatimi i tij të bëhen ndryshimet. Është mirë të gjenden format se si të bëhen këto ndryshime, ose më saktë drejtori i Urbanizmit specifikisht duhet të paraqes se çka donë të ndryshoj. Kështu që nëse fillohet mu rishiku ky dokument kjo punë nuk do të kryhet para dy viteve”, tha Zariqi.
Ndërsa, Enver Haliti nga radhët e Vetëvendosjes, duke kritikuar ashpër mënyrën e miratimit të Planit Zhvillimor që ishte bërë në shtator të vitit që shkoi, tha se shpreson se me rishikimin e tij pushteti aktual do ta qes këtë proces në binar.
“Presim që të gjitha këto ndryshime të bëhen para syve tonë dhe qytetarëve në mënyrë që mos të përsëriten gabimet që janë bërë deri me tani”, tha Haliti.
Dhe, pas një debati që zgjati me orë të tëra kjo pikë e rendit të ditës me shumicë votash mori miratimin që në Planin Zhvillimor Komunal të fillohen procedurat e rishikimit.
Kjo pikë e rendit të ditës pas diskutimeve të shumta u votua pro nga 29 anëtarë të Kuvendit Komunal.
Në këtë mbledhje u mor vendim edhe për caktimin e orarit të mbledhjeve të KK-së për vitin 2018, si dhe u formua komisioni nga radhët e partive politike të përfaqësuara në Kuvend, për hartimin e Planit të kuvendit të KK-së.