Programi ideopolitik 52-faqësh “Mbi Organizimin Politik (në fazën e Ristrukturimit)” i LVV-së, i cili nuk ishte miratuar sepse ishte vlerësuar në heshtje si program bolshevik, por as i abroguar si i tillë nga kryesia e atëhershme e LVV-së në prag të fitores, nga perspektiva e sotme do të mjaftonin në dromca idesh dhe copëza të shkëputura për të kuptuar realitetin aktual, të manifestuar si një oksimoron i veçantë i lirisë dhe izolimit të vendit. Në faqen 45, në një paragraf të materialit me titull “Fitorja është revolucionare”, thuhet:“Nëse Lëvizja VETËVENDOSJE! fiton duke u zbutur e pse është zbutur, atëherë edhe do të çahet, edhe do të humbet. Sepse, kur ajo do të detyrohet të bëhet më radikale në një kohë tjetër, për këtë nuk do të hasë në mirëkuptimin as të strukturës së saj dhe anëtarësisë së gjerë dhe as në popull”.
Bizariteti apo çudia e rrjedhave drejt fitores u zhvilluan paradoksalisht përkundër këtij citati: fitorja erdhi pikërisht kur LVV u zbut skajshmërisht; në zhargonin politik të saj tashmë nuk përdorej bashkimi kombëtar; pacifikimi i organizimit politik kishte braktisur protestat anti-establishment; dhe paradoksi vazhdon radikalizmi i gjuhës populiste e linçuese ndaj organeve të drejtësisë dhe mediave vazhdon të ruajë mbështetje polarizuese shoqërore.
Në preokupimin për marrjen e pushtetit, citati vijon:“Ne s’do ta arrijmë marrjen e pushtetit pa një gjendje të jashtëzakonshme dhe mbase as ta mbajmë atë po ashtu pa një gjendje të jashtëzakonshme për një kohë. Sepse sistemi është shumë i kriminalizuar dhe shumë kriminelë janë të lidhur me armikun tonë kryesor – Serbinë”.
Eh, mbase kjo mbajtje e vendit pa qeveri legjitime, me ngërç institucional e pa shpresë zgjidhjeje, është treguesi më i saktë i realizimit të një projekti e doktrine politike kaherë të shkruar me të zezë në të bardhë. Harresa jonë kolektive nuk është e çuditshme të ishte ndihmuar edhe nga aftësia jonë e mangët në leximin me përmbajtje e dëshmuar edhe nga rezultatet e matjes të PISA-s. Një lexim i vëmendshëm i këtij projekti apo doktrine politike bolshevike, në tërësinë e saj, tregon se narracioni kryesor është REVOLUCIONI, i cili nuk ka objektiva post-revolucionare, por kërkon që një Lëvizje brenda Lëvizjes të arrijë kontrollin dhe depërtimin deri në kapilarët e fundit të shoqërisë në kërkim të një uniformiteti e revolucionarizimi të shtresave shoqërore, si tipologji e revolucionit kulturor të Mao Ce Dunit.
Që synimi ishte marrja e pushtetit në mënyrë revolucionare, dmth. përmbysje e pushtetit, për këtë nuk ekzistonte dilemë, sepse qëllimi ishte vënë: manifestimi i protestave të dhunshme, aktivitete e performanca të dhunshme anti-establishment, e të tjera, kudo e gjithandej. Objektivat si përmbushje e synimeve më pas zunë një plan tjetër jo-projektues: ndodhi rrotacioni i pushtetit në mënyrë demokratike me votën e lirë. Ky sihariq i papritur, vota e lirë si shprehje civilizuese qytetare nënkuptonte pushtet me procedurë demokratike, e kjo për LVV-në ishte sfidë e patejkalueshme, sepse kapacitetet ideologjike revolucionare nuk kishin kapacitete për drejtim të shtetit me procedura demokratike, aq më pak një Lëvizje me lidership hegjemon e omnipotent, të manifestuar me sindromën hubristike në çdo drejtim.
Se vota e lirë është kundërpeshë e revolucionit, pra bazament i sendërtimit të një qeverie që nënkupton organin më të lartë ekzekutiv dhe urdhërdhënës të administratës shtetërore në Republikën Parlamentare të Kosovës, tashmë është e qartë. Fatkeqësisht, çështja është kapluar nga triada pyetjeve filozofike: Çfarë, Si dhe Pse ?. Në këtë tredimensionalitet, pyetja e dytë, “Si” diskurs i arrogancës qeverisëse, ka dominuar aq shumë, sa ka përmbysur të kuptuarit e “Çfarë”-s që përfaqëson vetë qeverisjen.Qeverisja “Si” – pra si dukje deri më tani ka arritur të ruajë narracionin e perceptimit të një subjekti të pamposhtur, i cili edhe kur “mbreti-baba duket cullak”, prozelitët (xh’emati i besimtarëve) vazhdojnë të mbajnë kurajën e triumfit kundër “gjithë armiqve të botës”. Andaj thirrja për “babën” sikur frymëzohet nga kënga: “Edhe një herë për situatën, E. Hoxha e mprehi shpatën”.
Se djallëzitë qeverisëse ishin taktike po aq sa edhe strategjike, e dëshmon lufta e hapur linçuese kundër medias së lirë. Në mungesë të projekteve kapitale zhvillimore, opinioni është ushqyer vazhdimisht me goditje diskredituese, shpifëse e linçuese ndaj mediave kundërshtare (që nuk ishin të paluara në mirëmbajtjen e piramidës pushtetare). Kjo ishte një luftë e nevojshme për pushtetin, në mënyrë që në të ardhmen të mbyste të vërtetën mbi keqqeverisjen e tejdukshme. Sepse, nëse krijohet perceptimi polarizues se mediat që nuk i shërbejnë qeverisë janë “të financuara nga Beogradi”, atëherë çdo informatë e tyre perceptohet si dashakeqe dhe kjo i shërben propagandës populiste të qeverisjes pa asnjë sukses.
Jo rastësisht, në dokumentin politik të lartcekur, në faqen 19, në paragrafin “Komunikimi është organizim”, thuhet: “Thashethëmat janë burim (dez)informacioni. Nuk bën ta nënçmojmë fuqinë e thashethemnave… analfabetizmi funksional ka përfshirë afër 40% të popullsisë…Qëndrime të caktuara tonat në mjedise e kohë të posaçme duhet të përhapen pikërisht ashtu: pra, si thashethëma.”
Eh, thashethemnaja, sipas Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe, vjen si “fjalë, zakonisht të këqija a për gjëra të paqena, që pëshpëriten e përhapen për dikë a për diçka”. Pra, gënjeshtra del të jetë mjeti operues i qeverisjes demokratike të sotme. Mos vallë vendi ynë është katandisur në retorikën mitologjike të Dobrica Qosiqit, i cili kishte shkruar: “Ne rrejmë për të mashtruar vetën e për ta ngushëlluar tjetrin; rrejmë nga mëshira, rrejmë nga turpi, rrejmë për të trimëruar, rrejmë për ta fshehur mjerimin tonë, rrejmë për shkak të ndershmërisë. Rrejmë për shkak të lirisë. Rrena është shfaqje e patriotizmit serb dhe dëshmi e inteligjencës tonë të lindur.“Heshtja dhe indiferenca intelektuale sot, para faktit të “qeverisjes” pa qeveri, rehatia oportuniste brenda botës akademike aq sa është akademike, përbëjnë mëkat dhe papërgjegjësi ndaj shoqërisë së rrezikuar nga polarizimi ogurzi për vendin. Pikërisht kur drejtimi i vendit rrezikon të toksinohet me ide doktrinare ku normativ ka si:“Qëndrime të caktuara tonat… duhet të përhapen si thashethëma”.
Natyrisht ky normativ indoktrinimi fillon me militantët brenda 40% të analfabetëve funksionalë, të cilët përbëjnë numrin natyror të vullnetit elektoral, me kushtin e nevojshëm dhe të mjaftueshëm të heshtjes së komplementit të 40%-shit. Strategjia e nënshtrimit fillon natyrshëm te mendjet e varura nga mentaliteti i “tufës së deleve”, ku individi zhytet në anonimitetin e përgjegjësisë kolektive. Psiko-sociologjia na mëson se konformizmi nga 40 – 66% statitistikisht ka shtrirje në populacion universalisht, si i tillë gjithëherë ka premisë që kjo përmasë të modifikohet drejt obediencës (bindjes për sjellje të dhunshme) kur përgjegjësia mund t’i atribuohet autoritetit që bartë kauzën qoftë ajo edhe meskine por e sajuar dhe e ambalazhuar si kauzë nacionale.
Kauza kombëtare është inkluzive, pra gjithëpërfshirëse. Si e tillë nxit reagim emocional qytetar, sepse ndjenja për atdheun është një nga më të fortat që mund të interiorizojë njeriu. Ndërkaq, sot jemi dëshmitarë të manovrimit të patriotizmit në mënyrë posesive, vetëm për hir të patriotizmit – ndjenja për hir të ndjenjave. Duke mos munguar mjeshtëria e regjisorit e skenaristit të filmave të metrazhit të shkurtër deri në perfeksion. Por, harrohet se rregullatori i filmit me metrazh të gjatë, pra Geshtalt-i i pazëllit të madh, ndodhet në Washington.
Është detyrë dhe obligim intelektual e kombëtar që brezit të ri t’i sqarohet se qëndrestarët dhe patriotët nuk janë fluid sipas populizmave dhe serialeve të metrazhit të shkurtër. Ndjenja e atdhedashurisë nuk shprrallohet çdo ditë, sepse është e rrënjosur dhe e interiorizuar në qenien kombëtare; nuk ka nevojë për patriotizim të përditshëm për hir të qenurit patriot. Ndershmërisht, intelektualisht e patriotikisht, sot do të duhej të kishim tejkaluar katarsisin shoqëror se atdheut nuk i duhen ndjenja dashurie për hir të ndjenjave si mekanizëm kompensues i mungesës.
Nga perspektiva e sotme, dikush më herët e dikush më vonë duhet ta ketë kuptuar (e unë, si autor i shkrimit, e kam kuptuar dhe reaguar si kontribues idealist i një mëkati të madh) se ditën kur në skenën politike u shfaq Albin Kurti, Kosova humbi një inxhinier me kapacitete shumë të vlefshme, por fitoi një drejtues përçarës galopant dhe hegjemon, shumë të rrezikshëm për të ardhmen e vendit, si një neo-kapitalist i Republikës Parlamentare, i kamufluar me social-demokraci.
Prof, Enver Bajrami – ish aktivist i LVV-së