E reja ferizajase Saranda Musliu e cila ka përfaqësuar Ferizajn si deputete nga dega e LDK-së së Ferizajt në Parlamentin kosovar, përsëri po garon të vazhduar mandatin e deputetes në zgjedhjet e datës 14 shkurt.
“Për mua është një nder dhe mundësi e përzemërt të përfaqësoj në Prishtinë qytetin tim të lindjes, Ferizajn “, thotë deputetja 30 vjeçare.
“Unë jam rritur në Ferizaj. Këtu kam kaluar fëmijërinë dhe kam krijuar një rreth të gjerë shoqëror. Miqtë e mi i takoj e i konsultoj me shumë vëmendje për temat që i adresojmë bashkë” tregon politikania e re e cila thotë se edhe kafen e shijon më së shumti në Ferizaj.
Për besimin që i kanë dhënë në zgjedhjet e vitit 2019 ajo falënderon në radhë të parë bashkëqytetarët e saj por edhe votuesit në mbarë Kosovën.
“ Në mandatin tim të ri unë me gjithë potencialin tim do të angazhohem që fillimisht të dëgjoj kërkesat dhe hallet e ferizajasve dhe të punoj për komunën time, që besimin e dhënë ta kthej përmes përkushtimit tim , por nuk do t’ i lë anash as elektoratin tim nga komunat e tjera. Zërat përfaqësues po mungojnë viteve të fundit në Kuvend, prandaj lidhjen e komunikimin që kam ndërtuar nuk do ta ndërpres asnjëherë” zotohet deputetja Musliu.
Saranda Musliu është një nga deputetet më të reja por më të zëshme në institucione.
Së fundi i është gëzuar realizimit të një projekti kapital siç është rruga e fshatit Tërrn , prej nga vjen edhe familja e prindërve të saj. Me protesta e shumë vizita në Ministri të ndryshme ka arritur të shtyej këtë projekt që të realizohet në mënyrën më të mirë.
“Uroj që bashkëqytetarët e mi ta gëzojnë rrugën e re të fshatrave Bablak, Tërrn, Lubovc, Koshare e cila nga muaji i kaluar është bërë lidhja më e lehtë për banorët me qytetin e me fshatrat e tjera.
Kemi qenë bashkë në protesta për këtë rrugë, e po ashtu edhe nëpër zyra të ministrive e të komunës për t’i eliminuar pengesat me të cilat jemi përballur një kohë të gjatë.
Këto sfida u tejkaluan dhe ne sot lëvizim bashkë nëpër këtë rrugë moderne.
Meritat për realizimin e kësaj pune të mirë na takojnë të gjithëve, sepse fatkeqësisht edhe përmes protestave na është dashur t’a kërkojmë këtë të dejtë themelore për lëvizje në kushte më të mira.
Punët e mira për Ferizajn janë gjithmonë misioni i imi dhe i LDK -së në të gjitha institucionet. “ ka shkruar deputetja Musliu.
Para se të fitojë mandatin e deputetes Saranda ishte këshilltare e zgjedhur në Asamblenë komunale të qytetit të Ferizajt ku shpesh po ka ngritur çështje me shumë të rëndësi.