Ferizaj, 31 korrik 2025 – Deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e PDK-së, znj. Arbnora Salihu, në një intervistë për FerizajPress, ka komentuar bllokadën institucionale që ka çuar në 54 seanca të pasuksesshme për konstituimin e Kuvendit. Ajo akuzon kryeministrin Albin Kurti për një bllokim të qëllimshëm me synim mbajtjen e pushtetit absolut. Sipas saj, kjo është një strategji për të mbajtur nën kontroll institucionet, ndërsa pasojat po i ndiejnë drejtpërdrejt qytetarët.
Salihu e cilëson këtë situatë jo si dështim procedural, por si mungesë të vullnetit politik dhe respektit për demokracinë:
“Kuvendi nuk është bllokuar nga paaftësia institucionale, por nga një vullnet i qartë për pushtet absolut. Ky është një kaos i ndërtuar për qëllime politike,” thekson ajo.
Si përfaqësuese e qytetarëve të Ferizajt, deputetja shpreh shqetësim për faktin se ligjvënësve po u pamundësohet të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues.
“Ky bllokim nuk është më procedural – është politik. Fati i Kosovës është lidhur me vetëm një emër: Albulena Haxhiu,” deklaron ajo.
Në lidhje me pyetjen për pagesat e deputetëve pavarësisht mosfunksionimit të Kuvendit, Salihu thekson se ka qenë e pranishme në 53 nga 54 seanca dhe ka qenë e gatshme të japë votën e saj në çdo thirrje.
“Përgjegjësia politike nuk bie mbi ne që jemi aty, por mbi ata që e kanë kapur procesin,” tha ajo.
Sa i përket pasojave konkrete për qytetarët, Salihu përmend mungesën e përfaqësimit, vonesën e projekteve zhvillimore dhe rënien e besimit në institucione. Ajo veçon disa projekte të rëndësishme për Ferizajn që kanë mbetur pezull: ndërtimi i Spitalit Rajonal, impianti për ujërat e zeza dhe si rregullimi intrastrukturor në magjistralen Ferizaj–Shkup.
“Qeveria ka treguar shpërfillje të plotë për Ferizajn, vetëm sepse nuk mund të pranojë suksesin e një qeverisjeje lokale që nuk është e tyre,” thekson ajo.
Në nivel shtetëror Salihu shton se rinia po largohet nga vendi, ekonomia po përballet me sfida të rënda, çmimet janë rritur, dhe as arsimi e as shëndetësia nuk kanë përjetuar reformë apo përmirësim. Sipas saj, të gjitha këto janë pasojë direkte e bllokadës institucionale dhe një qasjeje arrogante të pushtetit.
Duke folur për përpjekjet për zgjidhje, deputetja thekson se PDK ka qenë e gatshme për kompromis dhe ka refuzuar vetëm emrat që vijnë nga kabineti aktual qeveritar.
“I jemi drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarim institucional dhe për të mbrojtur rendin kushtetues,” thotë ajo.
Salihu pranon se kjo krizë është thelluar si rezultat i mungesës së vullnetit për dialog dhe egos politike nga ana e liderit të Vetëvendosjes
“Sot nuk bëhet më fjalë për interesin shtetëror, por për interesat personale të atyre që mendojnë vetëm për veten.”
Për qytetarët që ndihen të zhgënjyer dhe të braktisur nga përfaqësuesit e tyre, deputetja ka një mesazh të drejtpërdrejtë:
“Ky nuk është moment për t’u dorëzuar. Është momenti për të kërkuar llogari. Zgjedhjet e ardhshme janë rasti kur populli jep përgjigje për këtë zhgënjim.”
Ajo shton se votuesit janë ata që kanë fuqinë të ngrejnë apo të rrëzojnë politikanë dhe parti politike.
Në pyetjen se nëse do të ishte e gatshme të dorëhiqej në rast se bllokada vazhdon, Salihu tha se një vendim i tillë do të shqyrtohej vetëm nëse do të ndihmonte realisht në zhbllokimin e situatës, por sipas saj:
“Zgjidhja nuk qëndron në largimin e atyre që janë të përkushtuar në Kuvend, por në reflektimin e atyre që e kanë bllokuar procesin.”
Ajo përsëriti se e kupton zhgënjimin e qytetarëve, sidomos të rinjve, por u bëri thirrje që të mos heqin dorë:
“Dashuria për Kosovën i tejkalon të gjitha sfidat. Është koha për reagim, për përgjegjësi dhe për mobilizim.”
Duke folur si plan alternativ për bllokadën aktuale në Kuvend, Salihu deklaroi:
“Hapi i parë duhet të jetë një vendim i qartë dhe përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese që do të sqarojë rrugën institucionale përpara. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë do të jetë zëri i qytetarëve, protesta demokratike dhe mobilizimi civil ai që do të çojë në ndryshim të vërtetë – qoftë edhe nëpërmjet zgjedhjeve të reja parlamentare.
Në fund, ajo theksoi se kriza aktuale në Kuvend është një krizë e demokracisë dhe përfaqësimit, dhe kërkoi ndërhyrje urgjente institucionale dhe zgjim qytetar për ta kthyer vendin në normalitet demokratik.