Gjatë ditës së sotme është debatuar draft -statuti i Muzeut të Kujtesës, një dokument me rëndësi që fletë për themelimin e një institucioni që në thelb ka për qëllim ruajtjen e një pjesë të trashëgimisë historike e që lidhet me luftën e fundit të UÇK-së.
Me këtë rast drejtues të institucioneve kanë thënë se propozimi për themelimin e Muzeut të Kujtesës ka ardhur nga kreu komunal i Ferizajt Agim Aliu dhe se lidhet me ruajtjen e vlerave të luftës së UÇK-së dhe se personifikon krejt atë sakrificë për të cilën ka të drejtë të dijnë breza të tërë.
Madje Kryesuesja e Kuvendit Kristina Gashi-Bytyçi, drejtoresha e kulturës Xhemile Murati-Shabani dhe këshilltari i kryetarit për komunikim dhe marrëdhënie me publikun Albion Sherifi, kanë vënë theksin në rëndësinë e plotësimit të këtij dokumenti me propozime që mund të vijnë nga shoqatat e luftës dhe qytetarët e komunës.
Në anën tjetër pjesëmarrësit kanë adresuar propozimet e tyre e që në thelb përveç aspekteve që lidhen me organizimin e këtij institucioni, kishin të bënin edhe me përgjegjësitë dhe funksionimin e tij.
Ndërkaq Luan Jahiri nga Organizata e Veteraneve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë se këto vërejtje do të merren për bazë gjatë hartimit të draftit final, por që edhe rregullorja që do të sillet mëpastaj do të miratohet me statutin që pritet të kaloi në seancën e radhës.
Ky dokument me rëndësi për 15 ditë do të jetë i hapur për vërejtjet e qytetarëve, ndërsa u tha se deri më tani ende nuk ka lëvizje drejt ndonjë projekti eventual. Muzeu nga ajo që dihet do të jetë i vendosur në objektin e ish -Gjykatës për Kundërvajtje në Ferizaj.