21,12,2025

Debat rreth procesit të hartimit të buxhetit nga komunat e rajonit të Ferizajt

Must Read

Procesi i përgatitjes së buxhetit komunal në komunat e Kosovës ka qenë tema e debatit, organizuar nga OSBE-ja, ndërsa ka tubuar drejtues të pushtet lokal nga komunat Ferizaj, Kaçanik, Han i Elezit dhe Shtërpcë si dhe zyrtarë tjerë nga këto komuna.

Në këtë debat janë theksuar sfidat në hartimin e buxheteve komunale dhe modalitetet e hartimit strategjive investuese në interes të qytetareve dhe kërkesave të tyre. Debati ka pasur për qëllim edhe shkëmbimin mes zyrtarëve të përvojave në aspektin e hartimit të buxheteve dhe planeve investuese, duke vënë në pah përparësitë dhe sfidat.

Kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, si nikoqir i këtij takimi ka folur për përvojat e deritashme të Komunës së Ferizajt, duke e vënë theksin në kriteret e hartimit, në shpërndarjen e tij proporcionale dhe në përkim me numrin e banorëve dhe pjesëmarrjes së tyre.

“Komuna e Ferizajt, si një qendër e madhe, ka një buxhet me tendencë në rritje të tij, si produkt edhe i rritjes së përmasës së qarkullimit financiar buxhetor, por edhe si produkt i rritjes së të hyrave”, ka thënë Svarqa, duke theksuar inaksimin e të hyrave vetjake, ngecjet si rrjedhojë e faljes së borgjeve, si dhe rritjes në muaj të fundit të vlerës së inkasuar nga qytetarëve, që do të ndikojnë në kthimin e tyre përmes investimeve dhe përmirësimit të kushteve të jetës.

Numri një i Ferizajt ka vënë në pah pjesëmarrjen e qytetarëve ne debate publike për buxhetin dhe dëgjime publike që gjithnjë e më shumë po janë masive nga ana qytetarëve, në vendimmarrje për zbatimin e politikave zhvillimore të komunës.

“Ndarjes së buxhetit në raport me shtrirjen gjeografike dhe në raport me numrin e banorëve, ne i kemi kushtuar rëndësi të veçantë. Për investime infrastrukturore diku janë 7 milionë euro, por në të njëjtën kohë rritja sa më e madhe e investimeve kapitale, përkundër përshtypjes së krijuar dhe domosdoshmërisë për investime krijon edhe vështirësi në menaxhimin e parasë publike që ndërlidhen me mallra dhe shërbime. Sa më shumë do të ketë investime kapitale, aq më pak do të ketë mallra dhe shërbime dhe e kundërta”, ka thënë Svarqa.

Numri një i Ferizajt ka theksuar edhe nevojën e orientimit të buxhetit për zhvillim ekonomik.

Edhe nënkryetari i Komunës së Shtërpcës, Beqir Fejzullahu ka folur për specifikat e komunës së tij në hartimin e buxhetit komunal, duke vënë theksin në mosposedimit të numrit të saktë të banorëve të kësaj komune.

“Komuna realisht i ka 14 mijë e 700 banorë, ndërsa sipas regjistrimit të fundit, shënimeve zyrtare ka 6 900 banorë që nuk është numër real dhe kjo ka ndikuar në shkurtimet buxhetore për investime në infrastrukturë për të ruajtur punën administratës së komunës, në arsim e shëndetësi. Qytetarët janë të interesuar të marrin pjesë në tubime, për investime, dhe paraqesin kërkesat e tyre, organizohen në terren, mirren propozimet e tyre, por këto janë të mëdha ndërsa mundësitë e pakta” , ka thënë Fejzullahu.

Kryesuesi i Kuvendit të Kaçanikut, Xhelal Gashi ka thënë se rritja e të hyrave vetjake shihet si një mundësi e mirë për të rritur edhe investimet në infrastrukturë për qytetarët e kësaj komune, ndërsa ka çmuar lart kontributin e gjithë akterëve që marrin pjesë në hartimin e buxhetit, duke mos lënë anash edhe kontributin e qytetarëve dhe kryetarëve të fshatrave. Munduh Vlashi, nënkryetar i Hanit të Elezit ka folur për sfidat e kësaj komune në hartimin e buxhetit dhe në përcaktimin e prioriteteve dhe se kjo është arritur falë transparencës dhe shpenzimit me nikoqirllëk të parasë publike. Vlashi ka folur për buxhetin e paktë për investime kapitale në lartësi prej 400 mijë eurosh, vlerë kjo shumë dekarajuese për qytetarët e kësaj komune, meqë as për së afërmi nuk përmbush kërkesat e tyre.

Zyrtarë të OSBE-së kanë prezantuar më pas fazat e procesit të hartimit të buxhetit, ndërsa pjesëmarrësit tjerë, zyrtarët financiarë nga këto komuna kanë trajtuar aspekte të ndryshme që lidhen me hartimin e buxhetit komunal.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Ferizaj: Gjobiten dy kompani transportuese për ndotje të rrugës magjistrale

Policia raporton se dy kamionë transportues me targa të huaja, të angazhuar nga kompani, janë ndaluar dhe ndëshkuar nga...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img