Dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, si dhe paralajmërimi i disa shteteve tjera se do të veprojnë njëjtë, nuk do të ndikojë në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës e as në procesin integrues. Sipas Qeverisë së Kosovës dhe ekspertëve të integrimit, liberalizimi do të ndodhë pas plotësimit të kritereve të mbetura.
Qytetarët e Kosovës nuk kanë nevojë të shqetësohen për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, meqë kjo nuk do të ndikojë aspak në procesin e liberalizimit të vizave e as në proceset tjera integruese.
Kështu thonë profesorët e integrimeve evropiane, duke thënë se vetëm frika nga emigrantët mund ta penalizojë Kosovën nga liberalizimi i vizave edhe për qytetarët e saj. As përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës nuk shohin rrezik që dalja e Britanisë së Madhe nga BE-ja dhe paralajmërimi i disa shteteve të tjera se do ta bëjnë të njëjtën gjë do të stopojë procesin integrues që ka nisur Kosova.
Zëvendësministri i Integrimit Evropian, Ramadan Ilazi, ka thënë për “Zërin” se ende është herët të flitet për pasojat që do të ketë dalja e Britanisë nga BE-ja, por, siç tha ai, nuk do të ndalen proceset integruese e as liberalizimi i vizave.