18,11,2024

Bizneset ferizajase paralajmërojnë kallëzim penal ndaj KEDS-it

Must Read

Mungesa e rrymës u ka ardhë në majë të hundës biznesve që veprojnë në Prelez të Ferizajt. Reduktimet e shpeshta e të gjata kanë  bërë që përfaqësuesit e këtyre firmave kryesisht prodhuese, të kërkojnë takim me drejtorin e KEDS-it në Ferizaj. Këta afaristë po ankohen se punëtorët po mbesin pa punë, ndërsa dëmet në prodhim janë të mëdha.

“Kemi të bëjmë me biznes, kemi të bëjmë me prodhim të qumështit, është një artikull shumë i ndjeshëm dhe thjesht rryma na ndalet pa kurrfarë paralajmërimi. Kur është çështja e pagesës ne edhe e parapaguajmë, ndërsa kohët e fundit neve rryma na ndalet non-stop dhe ende nuk dimë çfarë është duke ndodhë”, tha Idriz Zagragja nga “Natyra G”.

I revoltuar me këtë gjendje po ndihet edhe afaristi tjetër që vepron në këtë pjesë të Ferizajt, Azem Guta. Ky biznesmen thotë se KEDS-i është kancer i biznesve.  Ai madje paralajmëroi edhe kallëzim penal ndaj kësaj kompanie.

“Ne sot jemi mbledh disa përfaqësues të mbi 150 bizneseve  që veprojmë prej ‘’Fitores’’ e deri në Babush, sot po përpiqemi të zhvillojmë një takim me drejtues të KEDS-it, për ta sqaruar këtë situatë që po ndodhë. Ditën e djeshme kemi pas rrymë gjatë tërë ditës vetëm dy orë, kjo nuk don koment, në sezonën më të madhe të punës këta e ndalin rrymën pa kurrfarë paralajmërimi e pa kurrfarë mëshire. Këta e kanë monopolin, këta vijnë kur të duan të kërcënojnë me ta këput rrymën, nuk të japin kurrë afat për pagesë. Ne do të shkojmë edhe më tutje, besoj që të hënën do ta përgatisim edhe një padi penale, sepse nuk kemi tjetër zgjidhje, KEDS-i është kancer i biznesve”, tha Guta.

E, derisa këta përfaqësues të bizneseve provuan të mbajnë takim me drejtues të KEDS-it, këta të fundit sot nuk patën kohë të merren fare me ta.

“Ky drejtor e sheh aq të parëndësishëm çështjen dhe hallin e 150 biznesve në Ferizaj, kjo nuk don koment”,tha Guta.

Për këtë problem është njoftuar edhe KEDS-i në Prishtinë.

Zëdhënësi i kësaj kompanie Viktor Buzhala, përmes një emaili, ka thënë se KEDS do të mbajë takim me këto biznese në ditët e ardhshme për t’iu treguar atyre se KEDS-i është i gatshëm të investoj në këtë pjesë të Ferizjat, me një projekt që kap vlerën 100 mijë euro, por që  Ministria e Infrastrukturës, sipas tij, nuk po e lejon këtë tash për tash.

Hatixhe Qazimi-Misini/ TELEVIZIONI TEMA /

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Aksident në Ferizaj, përfshihen tri vetura – lëndohen 5 persona

Pesë persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti në mes tri veturave ne Ferizaj. Aksidenti ndodhi në rrugën...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img