Ferizaj.08.11.2017. Ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike kanë filluar të krijojnë probleme të mëdha për bizneset në Ferizaj. Përfaqësues të bizneseve kanë treguar se reduktimet janë të shpeshta dhe si të tilla po e dëmtojnë rëndë veprimtarinë e tyre.
Fabrika e veglave dhe aparateve elektrike “PLUS FVE” nga Ferizaj, është njëra nga kompanitë e cila po ballafaqohet me pasiguri në furnizim të energjisë.
Pronari i kësaj fabrike, Kemajl Zariqi, thotë se furnizimi jo i rregullt me energji elektrike, po pamundëson zhvillimin normal të veprimtarisë së tyre.
“Si duket KEDS-i ka kuptuar që jemi lodhur dhe na e ka dhënë pushim sot, nga ora 9:30 nuk kemi rrymë, pa paralajmërim, në fakt të dielën ka pasur ndërprerje të rrymës, por jemi paralajmëruar përmes email-it, ndërsa sot jo, më e keqja është që pos duhet me nejtë ne, pastaj po dalim jo serioz ndaj klientëve që i kanë porositë të cilët i kanë në data të caktuara, nuk po arrijmë t’i përfundojmë, ne kontaktuam në qendrën e thirrjeve, fatkeqësia është që askush nuk jep llogari, ata thonë që ka paralajmërim, por ne nuk kemi paralajmërim, mund ta vërtetojmë këtë, të dielën ka pasur ndërprerje dhe kemi pasur paralajmërim, po ashtu edhe ditëve të tjera, nuk di se ku presim të shkojmë, është e tmerrshme”, tha Zariqi.
Zariqi thotë se ndërprerjet e shpeshta të rrymës po e dëmtojnë biznesin e tij në çdo aspekt. Ai tha se sa herë që ka vizita nga jashtë, fabrika e tij nuk është duke punuar për të njëjtën arsye.
“Fatkeqësisht sot e presim për herë të dytë një delegacion nga Gjermania, nga firma CTeknik, me të cilën kemi filluar një bashkëpunim të ri dhe para një muaji kur ata kanë qenë, ka qenë po i njëjti avaz, prapë nuk kemi pasur rrymë nga ora 09-16 dhe është shumë e turpshme, është jo serioze e skandaloze që të vjen një delegacion dy herë nga Gjermania dhe të qëlloj në një ditë kur je total në heshtje, kur i thua dikujt nga Mitrovica që nuk ka rrymë kupton, por këta janë nga Gjermania dhe nuk e kuptojnë që është ndalë rryma, ata dyshojnë menjëherë që nuk e kemi paguar rrymën, nuk jemi serioz pasi që nuk është në fiziologjinë e tyre”,tha Zariqi.
Për të marrë një përgjigje rreth ndërprerjeve të shpeshta të rrymës, të cilat po ndodhin pa ndonjë paralajmërim,Televizioni Tema kontaktoi me zëdhënësin e KEDS-it Viktor Buzhala, mirëpo ai refuzoi të jap ndonjë sqarim rreth kësaj çështje, transmeton Televizioni Tema.