Kryetari i komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, të mërkurën ka pritur në një takim, zyrtarë të kompanisë “Budapest water works”.
I pari i qytetit të Ferizajt, Muharrem Svarqa, i shoqëruar edhe nga bashkëpunëtoret e tij, ka pritur në një takim zyrtarë të kompanisë “Budapest water works”, kompani kjo e formuar qysh në vitin 1968.
Me këtë rast kryetari Svarqa, këta zyrtarë i ka njoftuar nga afër më shumë projekte që po realizohen në qytetin tonë, por temë kyçe e takimit ka qenë trajtimi i ujërave të zeza në Ferizaj.
Kryetari këta të fundit i njoftoi se Komuna e Ferizajt e ka të përfunduar studimin e fizibilitetit si dhe projekte ideore për ujërat e zeza.
Nga ana tjetër zyrtarë të kësaj kompanie kanë bërë edhe një prezantim të detajuar për trajtimin e ujërave të zeza.
U bë e ditur se për trajtimin e ujërave të zeza Qeveria e Hungarisë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, kanë të nënshkruar edhe një memorandum mirëkuptimi për përfitimin e kredive të buta vlerë kjo prej 62 milion eurove, ku përfituese do të jenë shumë komuna të Republikës së Kosovës, ndërsa pritet që edhe komuna e Ferizajt të jetë përfituese e kësaj kredie.