Ferizaj.27.12.2017. Në një aktivitet përmbyllës me rastin e fundvitit, biblioteka e qytetit të Ferizajt “Sadik Tafarshiku” ka përzgjedhur tre lexuesit e vitit dhe ka ndarë mirënjohje për disa individë të cilët kanë dhënë kontribut në pasurimin e fondit librar.
Drejtoresha e bibliotekës “Sadik Tafarshiku” Teuta Demiri, tha se ky vit ka qenë i suksesshëm për ta pasi është vërejtur rritje e numrit të lexuesve, por sfidë për bibliotekën Demiri tha se mbetet sigurimi me kohë i librave të botuar.
“Sfidat janë të ndryshme dhe janë të momentit, por sfidë e vazhdueshme mbetet që të sigurojmë librin me kohë dhe botimet që botohen qoftë në Kosovë e Shqipëri por edhe më larg, numri i lexuesve këtë vit ka qenë afër 4000 mijë dhe çdo herë shkon në rritje dhe po ashtu edhe numri i librave dhe ky vit ka qenë një ndër vitet më të suksesshme”, tha Demiri.
Lexuesit e vitit 2017 u shprehën të lumtur që janë përzgjedhur në mesin e shumë lexuesve që ka kjo bibliotekë.
“Jam nxënëse në shkollën “Jeronim de Rada”, jam 9 vjeçe dhe kam marrë mirënjohjen lexuesja më e mirë e vitit 2017, unë kam lexuar vazhdimisht sepse kam qejf të lexoj dhe të shkruaj poezi e libra të ndryshme, unë ka me vazhdu me lexu deri në vdekje’’,tha Artiola Stublla.
“Në mesin e lexuesve të tjerë unë u përzgjodha si lexuese e vitit dhe u ndjeva e nderune, dija është një burim i pashtershëm”,tha Valmira Beqiri.
Përveç lexuesve, mirënjohje u nda edhe për gazetarin Driton Ramadanin, për kontributin e tij dhënë për këtë bibliotekë. Ramadani bëri apel tek qytetarët që t’i sjellin në bibliotekë librat që nuk i shfrytëzojnë.
“Shpresoj që të tjerët të ndjekin rrugën që ato libra që nuk i përdorin dhe i kanë në shtëpi që është në interes të qytetarëve të vijnë dhe t’i sjellin në bibliotekë sepse këtu ruhen më së miri”,tha Ramadani.
Ndërkaq, drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Ferizaj, Xhemile Murati-Shabani premtoi përkrahje për të gjitha bibliotekat që funksionojnë në Ferizaj.
“Drejtoria e Kulturës e ka përkrahur këtë aktivitet, e çmoj angazhimin e madh të drejtoreshës dhe stafit që e bënë këtu, qeverisja lokale ka paraparë një përkrahje të madhe për bibliotekat e Ferizajt”,tha Murati-Shabani.
Në fund të këtij aktiviteti, babadimri ndau dhurata për lexuesit e vegjël të kësaj biblioteke, transmeton Televizioni Tema.