Ligjet federale të vendit vazhdojnë ta ndalojnë, si të paligjshëm, përdorimin e saj. Por organizatorët e nismës së çuditshme shprehen të gatshëm t’i ndihmojnë pjesëmarrësit ta shohin më qartë këtë çështje, duke i dhuruar 4.200 cigare me hashash pa kërkuar asgjë në këmbim.
Fushata “DC Cannabis”, që emrin e shkurtuar e ka “DCMJ”, do të shohë vullnetarët të marshojnë nga ora 8 deri në 10 të mëngjesit me orën lokale, të premten, për t’u shpërndarë njerëzve cigaret e krijuara me marijuanë të prodhuar në mënyrë të ligjshme.
“E kemi nisur që javën e kaluar përgatitjen e cigareve. Kemi angazhuar për këtë punë edhe miq e të afërm. Shpeshherë janë mbledhur grupe prej 6 apo 7 vetësh, të cilët e kanë kaluar ditën së bashku, sepse nuk është edhe aq e lehtë të përgatisësh kaq shumë cigare hashashi”, tha Elizabeth Croydon, vullnetare.
Një ligj i miratuar shkurtin e vitit 2015 në Uashington DC e lejon zotërimin e sasive të vogla të marijuanës, si dhe rritjen e konsumin e saj në shtëpi, por vazhdon të mbetet e paligjshme blerja, apo shitja e kësaj droge në publik.
Sasia e lejuar për të rriturit mbi 21 vjeç është gati 57 gramë, gjithmonë për përdorim privat.