MI: Nuk është kompetencë e kryetarit Suma të ndal punimet në autostradë
Në autostradën “Arbën Xhaferi” ende po vazhdojnë punimet, përkundër që ato i ka ndërprerë kryetari i komunës së Hanit të Elezit.
Problemet që paraqiten në këtë komunë nga ana e punimeve janë evidente.
Rruga që lidhë fshatin Paldenicë me rrugën kryesore të qytetit të Hanit të Elezit është e bllokuar që nga muaji shkurt dhe nuk është funksionalizuar as pas tre muajve siç ishte paraparë.
Për këtë, punëkryesi në autoudhë, Bechtel Enka u kishte premtuar këtyre banorëve që do të ndërtojë një urë, që do t’u mundësonte atyre çasjen më të lehtë në qytet, por edhe në pronat e tyre matanë rrugës.
Për këta banorë nuk është problem vetëm çasja në pjesën tjetër të qytetit por edhe dëmet që janë shkaktuar nga ndërtimi i autostradës.
Për problemin e tyre, banorët e fashtit Paldenicë i janë drejtuar komunës me ankesa e po ashtu edhe kanë protestuar. Kështu javën e kaluar, kryetari i Komunës së Hanit të Elezit ka ndërprerë punimet e kompanisë Bechtel Enka në këtë zonë.
Por, Ministria e Infrastrukturës në një përgjigje me shkrim për T7 thotë që nuk është kompetencë e kryetarit të Komunës të ndërprejë punime në autostradë.
Për të zgjidhur këtë çështje banorët e fshatit Paldenicë, bashkë me kryetarin e Komunës së Hanit të Elezit kanë kërkuar një takim me Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj. Sipas tyre, ky takim është i nevojshëm për të gjetur një zgjidhje.