Projekti vazhdon të shënojë përparim të mirë dhe konfirmojmë se të gjitha faturat deri në këtë datë janë paguar plotësisht nga Qeveria, thuhet në përgjigjen e kompanisë ndërtimore Bechtel & Enka lidhur me largimin nga puna të rreth pesëdhjetë punëtorëve nga rajoni i Gostivarit dhe Tetovës, të cilët punojnë në segmentet e autostradës së Korridorit 8.
Zëdhënësja e Bechtel & Enka, me kërkesë të Agjencisë së Lajmeve lidhur me pushimet nga puna që u janë dorëzuar rreth pesëdhjetë të punësuarve, u përgjigj:
“Jemi krenarë për trashëgiminë tonë në Evropën Qendrore dhe Lindore, duke realizuar qindra kilometra autostrada të mëdha, duke i dhënë përparësi punëtorëve lokalë dhe duke mbështetur komunitetet dhe bizneset lokale”.
Ajo konfirmoi se projekti vazhdon të përparojë mirë dhe se mbeten të përkushtuar për partneritet me Qeverinë për të realizuar infrastrukturë autostradore që forcon lidhjen, mbështet punësimin lokal dhe kontribuon në rritjen ekonomike.
Nga kompania ndërkombëtare ishin të prerë dhe konfirmuan se të gjitha faturat deri në këtë datë janë paguar plotësisht nga Qeveria.
“Ne bashkëpunojmë ngushtë me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut për të harmonizuar aktivitetet ndërtimore me prioritetet aktuale kombëtare. Kjo përfshin përshtatjen e niveleve të fuqisë punëtore në faza të ndryshme të projektit për të përmbushur nevojat operative”, tha Daniela Milloshevska.
Nga kompania shtojnë:
“Jemi të vetëdijshëm se kjo është një periudhë e vështirë për të prekurit, por për shkak të natyrës së industrisë në të cilën punojmë, shpesh ekziston nevoja të zvogëlojmë stafin tonë për të përmbushur nevojat operative. Kategorikisht nuk ka dallim në trajtim në bazë të përkatësisë kombëtare. Demobilizimi përfshin një përzierje punëtorësh ndërkombëtarë dhe lokalë, me procese të përcaktuara sipas llojit të kontratës.”

