26,12,2024

BE: 6 milionë euro kundër përmbytjeve në Shqipëri

Must Read

36 vjeçari Erjon Bullo është bari. Ai jeton në mal, por bagëtinë e kullot në fushat pranë grykëderdhjes së Vjosës, 100 dele çdo ditë dalin jashtë në mot të keq apo diell. Erjoni di pak ose aspak për BE dhe UNDP. Nuk ka udhëtuar në ndonjë vend të BE. Fjalë a shprehje si “proces integrimi”, “status i vendit kandidat”, “negociata anëtarësimi”  janë  ose të pakuptueshme ose jashtë interesave të tij. Gjithë sa di Erjon Bullo tani është që BE dha paratë për të penguar përmbytjen, UNDP bëri punën dhe delet e tij këtë vit nuk i mori lumi, dhe ai e ka të siguruar jetesën me  prodhimet blegtorale dhe qingjat që shet në Pazar, të dielave, në urën e Mifolit.

“Përherë jemi përmbytur, me shtëpi dhe katandi. Vetëm këtë vit jo. Na shpëtuan këto pengesa prej gurësh apo betoni që i vunë fré lumit ia vunë kufirin tek thana. Ja kështu.. BE mendoi edhe për  ne. Kjo është e drejtë apo jo? Dhe unë atë dua, drejtësi nga shteti dhe gjithë të të tjerët. ” thotë bariu Erjon Bullo.

Lumi Vjosa, në grykëderdhjen e tij, në komunën e Novoselës, në këtë fundvjeshtë të ngrohtë dhe me diell, i ngjan një liqeni të qetë. Ekspertë dhe ekologjistë europianë e kanë quajtur atë “Zemra Blu e Europës”dhe ” lumin e fundit, të madh në Europë që ka mbetur i paprekur, i egër, në gjendje natyrore”. Egërsinë e tij, në kohë stuhirash shiu, e kanë provuar dhe pësuar zonat pranë grykëderdhjes dhe lagunës së Nartës, që sa herë ka stuhi shiu, janë përmbytur rëndë. Vetëm vitin e kaluar ujërat e Vjosës përmbytën mijra hektarë tokë bujqësore, qindra shtëpi dhe rrëmbyen mijra kokë bagëti.

Por situata, pothuajse katastrofike e përmbytjeve duket se do t’i përkasë të shkuarës. Rreshjet e mëdha të shirave, që ranë në fillim të këtij muaji, nuk shkaktuan asnjë përmbytje. Lumi Vjosa është bërë zap.  Kjo falë realizimit të programit “Ngritja e Infrastrukturës Mbrojtëse nga Përmbytjet”, të mbështetur financiarisht nga BE dhe zbatuar nga UNDP në Shqipëri (United Nations Development Program).

Nora Kushti, Menaxhere për Komunikimin në UNDP, thotë për D: “Është një program nga ku përfitojnë qindra familje dhe që i vlen arritjes së axhendës së Qëllimeve të Kombeve të Bashkuara për një zhvillim të qëndrueshëm edhe  në Shqipëri. Zbatimi i tij nga UNDP u mundësua nga BE me një mbështetje financiare prej 6 milion Euro. Pas përmbytjeve të rënda në shkurt të vitit të kaluar qeveria e Tiranës, delegacioni i BE-së, OKB dhe Banka Botërore, në partneritet me pushtetin vendor, identifikuan dëmet dhe nevojat për të normalizuar jetën në zonat më të prekura nga  përmbytjet dhe konceptuan programin në fjalë. Ai përbëhet nga 16 ndërhyrje ose projekte, 10 prej të cilave janë realizuar  në lumin Vjosa dhe 6 në lumin Drinos dhe Osum, për të parandaluar përmbytjet në Gjirokastër dhe Berat. Në tërësi 16 projektet mbrojnë nga përmbytja rreth 12 mijë hektarë tokë bujqësore dhe rreth 15 mijë banesa” thotë Nora Kushta.

Investim efikas në dobi të komunitetit

Minella Hysa, përgjegjës për shërbimet në bashkinë e Novoselës, flet me gjuhën e saktë të shifrave për përfitime nga projekti i financuar nga BE. ”Vitin e kaluar, nga reshjet e shirave, Vjosa arriti në më shumë se 20 metra thellësi, doli nga shtrati dhe përmbyti  6.800 hektarë tokë bujqësore, 600 banesa dhe 2000 të tjera  ishin të rrezikuara të përmbyten. Projekti i BE për ndërtimin e 6 argjinaturave, mureve mbrojtëse prej betoni në lumin Vjosa, në Novoselë, lagunën e Nartës dhe zona të tjera u realizua në kohë rekord  për 6 muaj dhe me cilësi të lartë teknike nga UNDP. Prej tij kanë përfituar mijëra banorë të zones, që çdo vit pësonin dëme të pallogaritshme nga përmbytja. Ky është investimi  më serioz dhe efikas në 25 vitet e fundit në infrastrukturën mbrojtëse nga përmbytjet  ” thekson ai.

Infrastrukturë që jo vetëm mbron por edhe krijon tokë bujqësore

Ardi Arkaxhiu, inxhinier ndërtimi, supervisor nga ana e UNDP tregon për DW se dobia e projektit të BE shkon përtej mbrojtjes nga përmbytja.”Argjinaturat janë ndërtuar me beton ose me gurë, në këtë të fundit gurët mbahen bashkë përmes një rrjete metalike. Ato fillojnë në brigjet e lumit dhe zgjaten disa metra brenda në lum. Zonat mes dy argjinaturave frenojnë vërshimin e lumit. Ndërkohë mes dy argjinaturave krijohet ajo që quhet ”dekantim” që pas disa viteve shndrrohet në tokë bujqësore. Është një investim shumë i vlefshëm me efekte pozitive tanimë të provuara, i cili ka realizuar 100% synimin e tij. Por argjinaturat duhet të ngrihen edhe në zona të tjera nga ku kalon lumi Vjosa, që rrezikohen nga përmbytjet ” thotë Ardi Arkaxhiu.

Argjinaturat në lumenj për të parandaluar përmbytjet nuk janë një zgjidhje përfundimtare. Vetëm një studim fizibiliteti për lumin Vjosa, i munguar deri tani, do të bënte të mundur zgjidhje të tjera, që sigurojnë zonat përreth lumit , thekson inxhinieri Ardi Arkaxhiu. Projekti i BE ka bërë të mundur ngritjen e 6 argjinaturave në lumin Drinos, në rrethin e Gjirokastrës dhe në lumin Osum, në rrethin e Beratit. /DW

 

 

.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Agim Aliu: I gjithë Ferizaj në terr, kjo është e pashembullt!

Ditëve të fundit e veçanërisht sot, Ferizaj po përballet me gjendje të pashembullt e të pandodhur më parë sa...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img