Ferizaj.09.01.2018. Drejtoria e Arsimit ka filluar implementimin e projektit qeverisës për Arsim në Komunën e Ferizajt.
Këtë e ka bërë të ditur Drejtori i DKA-së në Ferizaj, Bashkim Hyseni.
Kjo drejtori ditë më parë ka shpërndarë nëpër të gjitha shkollat një formular përmes të cilit kërkohet gjendja aktuale nëpër shkolla.
“Javën e kaluar u kemi shpërndarë të gjithë drejtorëve të shkollave një formular përmes të cilit do të shohim gjendjen e shkollave në komunën e Ferizajt duke filluar nga gjendja teknike e shkollave e deri te kuadrot të cilët punojnë në arsimin ferizajas” ka thënë Hyseni.
Hyseni ka thënë se përmes raporteve mbi gjendjen e shkollave do të bëjmë edhe prioritetet e investimeve nëpër shkolla që sa më shpejt të evitohen mangësitë dhe problemet teknike që nxënësve tu ofrohen kushte sa më të mira për mësim.
“Në formularë kërkohet edhe gjendja e kuadrit arsimor dhe përgatitja e tyre profesionale. Fakti se fillimi i vitit shkollor 2017/2018 ishte gati edhe fushatë zgjedhore dhe diku për shkak të kompetencave e diku ndoshta edhe për qëllime elektorale ka pasur një numër të madh të mësimdhënësve të cilët janë angazhuar pa konkurse apo përmes rekomandimeve. Pas grumbullimit të raporteve do të veprojmë ashtu siç e parasheh edhe ligji, pra të shpallen konkurse për të gjitha ato vende ku kuadrot janë angazhuar përmes formave të tilla” tha Hyseni.
Në këta formularë është kërkuar edhe gjendja e mësimdhënësve të cilët janë angazhuar kohë më parë por të cilët sipas normativit dhe udhëzimeve administrative nuk janë kuadër adekuat për lëndët të cilat i mbajnë.
“Ka shumë lëndë të cilat mbahen nga mësimdhënës të cilët nuk kanë kualifikimin përkatës, sidomos në shkollat e mesme, e që një numër i tyre është angazhuar në mungesë të kuadrove” ka thënë Hyseni.
Sipas Hysenit ky është hapi i parë në bazë të të cilit do të hartohet edhe platforma e veprimit.
“ Në mbledhjen e parë të zhvilluar me drejtorët e shkollave të Ferizajt edhe kryetari Agim Aliu u ka bërë me dije drejtorëve se gjithçka do të jetë në bazë të ligjit dhe askush nuk do të jetë mbi ligjin “ tha Bashkim Hyseni, Drejtor i DKA-së në Ferizaj.
Must Read