Burime zyrtare thanë për Top Channel se kreu i opozitës, deri tani nuk është përfshirë në axhendën e zonjës Mogherini, e cila e viziton Tiranën në mes të një situate anormale politike, kur opozita ka bojkotuar Parlamentin dhe ka kushtëzuar qëndrimin e saj për zgjedhjet dhe për Reformën në Drejtësi me krijimin e një qeverie teknike.
Deri tani, askush nuk ka dhënë asnjë arsye, përse përfaqësuesja e lartë për Politikën e Jashtme në Bashkimin Europian e ka përjashtuar zotin Basha nga axhenda e saj politike në Tiranë. Ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare thanë për Top Channel se, një veprim i tillë nuk është i zakontë.
Gjatë 4 viteve të fundit, Tirana është vizituar dy herë nga një ministre e Jashtme e Bashkimit Europian dhe, si Catherine Ashton në vitin 2013, edhe Federica Mogherini në 2016-n janë takuar me kryetarin e opozitës, përkatësisht Edi Ramën dhe Lulzim Bashën.
Burime diplomatike e shpjeguan përjashtimin e Bashës nga takimi me Mogherinin duke iu referuar gjuhës së dhunshme verbale që kreu i opozitës përdori pak ditë më parë. Një problem që e preku në deklaratën e vet edhe zëdhënësi i Kancelares gjermane, Angela Merkel.
Megjithatë, për të dhënë mesazhin se nuk është përjashtuese ndaj opozitës, Federica Mogherini ka parashikuar në axhendën e vet një takim me drejtuesit e Parlamentit. Top Channel siguroi formatin e këtij takimi, ku opozita është e përfshirë në nivelin e nënkryetarit të Kuvendit, kryetarit të grupit parlamentar dhe kryetares së Komisionit të Integrimit.
Deri tani, nga Partia Demokratike nuk ka një përgjigje nëse do të pranojë të takohet me Përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Europian për Politikat e Jashtme dhe Sigurinë, në kushtet kur kryetari i opozitës është i përjashtuar.