Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, z. Agron Bajraktari dhe Prorektori për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Sigurim të Cilësisë, z. Bujar Pira, po marrin pjesë në Forumin e 11-të Evropian për Sigurim të Cilësisë, i cili po mbahet në Lubjanë të Sllovenisë.
Në këtë Forum po marrin pjesë rektorë, prorektorë, zyrtarë për sigurimin e cilësisë në institucione të arsimit të lartë dhe studentë nga shumë universitete evropiane.
Ky Forum i organizuar nga Asociacioni i Universiteteve Evropiane, ofron një platformë për diskutim, zhvillimin profesional dhe shkëmbimin e përvojave midis aktorëve kryesorë në sigurimin e cilësisë.
Në seancat plenare që do të mbahen përgjatë tri ditëve sa zgjatë ky Forum, me titull:
“Kualiteti në kontekst – përmirësimi rrënjësor”, do të kombinohen diskutimet nga praktika të ndryshme, apo hulumtime të bazuara, ndërsa do të vazhdohet me punëtori për zhvillimet aktuale për sigurimin e cilësisë.
Rektori i USHAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari ka vlerësuar se pjesëmarrja në këtë Forum është e rëndësishme, për faktin se Kosova po bënë përpjekjet maksimale për sigurimin e cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit, pra edhe në arsimin e lartë.
Rektori ka theksuar se nga ky aktivitet do të mund të marrin nga përvojat e vendeve të zhvilluara, të cilat janë pjesëmarrëse në Forum dhe do të kenë mundësinë të diskutojnë mundësitë e bashkëpunimit me universitete e institucione të arsimit të lartë për të ngritur cilësinë në këtë nivel të arsimit.