Asambleisti i LDK-së në Kuvendin Komunal të Ferizajt, Burim Karameta, ka fyer drejtorin e Shëndetësisë, Bekim Ademi.
Në punimet e seancës së prillit të Kuvendit të Komunës, në pikën e rendit të ditës ku po diskutohej Raporti i Punës së ekzekutivit për vitin 2018, asambleisti i LDK-së, ish drejtori i Shëndetësisë, Burim Karameta, në pamundësi që të përballet me të vërtetat e faktuar dhe prezantuara nga drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë, Bekim Ademi, përdori fjalor fyes e denigrues ndaj drejtorit të Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Bekim Ademi.
Si rezultat i këtij fjalori jo parlamentar, të pa hasur në praktikën e deritanishme të legjislativit lokal, por shpesh të përdorur së fundmi nga opozita në komunikimet publike, menjëherë reagoi i pari i Ferizajt, Agim Aliu duke kërkuar nga asambleisti Karameta që ta tërheq fjalën dhe të kërkoj falje publike për shprehjen e përdorur kundrejt drejtorit Ademi.
Kjo shkaktoi një situatë të pakëndshme dhe tollovi në seancën e Kuvendit të Komunës, me ç ‘rast për shkak të mos tërheqjes së fjalës dhe kërkim faljes nga asambleisti Karameta, i pari i Ferizajt, Agim Aliu bashkë me drejtor të drejtorive komunale lëshoi sallën, si akt proteste kundër gjuhës fyese e krejtësisht jashtë standardit të komunikimit publik që përdori opozita, konkretisht asambleisti Karameta.
Një gjest të tillë, shprehja e përdorur duke aluduar në “kafshë” për drejtorin Ademi, flet mjaft për “nivelin intelektual”, atë që përfaqëson opozita, një gjuhë rrugaçe nga një pretendent intelektual që përpiqet të paraqitet para opinionit publik.
“Ekzekutivi i Ferizajt, me në krye kryetarin Aliu nuk do të marr pjesë në asnjë seancë të Kuvendit, ku diskutant do të jetë asambleisti Karameta, derisa ky i fundit të mos e tërheq fjalën e përdorur dhe të kërkoj falje publikisht ndaj qeverisjes lokale në përgjithësi e drejtorit të Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Bekim Ademi në veçanti”, ka thënë Komuna e Ferizajt, në një njoftim për media.
“Qytetarët ferizajas janë ata që vlerësojnë këtë gjuhë të opozitës, krejtësisht banale dhe fyese, verdikti i së cilit do të jetë në përputhje me sjelljen e gjithësecilit akterë në skenën publike” thuhet në reagim.