17,11,2024

Artisti ferizajas Ridvan Maloku, që punon për Microsoft, Spotify…(FOTO/VIDEO)

Must Read

Ridvan Maloku është artisti shqiptar që jeton vetëm që pesë vite në New York, por që është punësuar në Ataboy Studio, produksion kreativ që punon me brendet më të njohura në botë.
Në një intervistë për KultPlus ai ka treguar për rrugëtimin e tij në këtë profesion, duke nisë në një televizion lokal në Ferizaj, e për të vazhduar tashmë në Amerikë. Ai poashtu ka realizuar edhe filma të animuar, punë për të cilën tashmë është shpërblyer edhe në disa festivale.
Për punën e tij, sfidat dhe ëndrrat e Ridvan Malokut mund të lexoni më detajisht në këtë intervistë.

Alberina Haxhijaj

KultPlus: Emri i juaj ka filluar që të bëhet i njohur në Amerikë, pikërisht për shkak të punës suaj. Na flisni më shumë rreth punën tuaj si artist i grafikave lëvizëse (Motion Graphics Artist)? Si filloi kjo lidhshmëri?
Ridvan Maloku: 
Gjithçka ishte shumë spontane por si fëmijë kam qenë i apasionuar pas teknologjisë dhe artit, dhe ky profesion ishte gërshetim i këtyre dy pasioneve. Por rrugëtimi im i vërtetë ka filluar në vitin 2003, atëherë kur edhe jam punësuar si Motion Graphics Artist në një televizion lokal në Ferizaj, në vendin tim të lindjes. Nga ato pak gjëra që ky vend pune ofronte ishte qasja në internet. Sot të kesh internet në shtëpi është domosdoshmëri, por në vitet e pasluftës ishte një luks që jo të gjithë e gëzonim. Kështu në këtë televizion të vogël mu hap një dritare e madhe, dhe çdo ditë pasi përfundoja orarin e punës rrija edhe disa orë më gjatë vetëm që të studioja. Thjesht kam sakrifikuar rininë time në këmbim të informacionit. Këtu punova për 6 vite, pastaj nga dhjetori i vitit 2008 deri më 2013 kam punuar në korporaten Albi Group si Graphic Designer dhe Motion Graphics Artist. Këtu gjërat morën një kthesë të madhe për të mirë, kisha një punë të mirë dhe një stabilitet financiar, por pas 5 viteve kishte ardhur koha për sfidën e radhës, dhe kështu në shtator të vitit 2013 u shpërngua në New York për të vazhduar karrierën këtu.

KultPlus: Cilat janë momente që ndoshta më së shumti jeni bërë krenar më punën tuaj?
Ridvan Maloku:
 Asnjëherë nuk ndihem shumë krenar me projektet që bëj. Vetë mundësia e ribërjes e bënë çdo projekt të duket i pa përfunduar. Pra gjithnjë jam në kërkim të persosshmerisë por ja që persosshmeria nuk ekziston, dhe ndoshta kjo është e bukura e këtij profesioni, është një udhëtim dhe jo një destinacion.
Por mund të them se projektet personale kanë një vend të veçantë në zemrën time, sepse janë eksplorim dhe studim i pastër, gjithashtu janë mënyra më e mirë për të treguar një storie apo përçuar një mesazh në krahasim nga puna që bëhet për klientët me pagesë që zakonisht janë mesazhe publicitare.


KultPlus: Keni punuar reklama për agjenci të ndryshme të reklamave. Na flisni më shumë për to dhe rëndësinë që kanë për ju?
Ridvan Maloku:
 Kompania ku unë jam i punësuar është produksion kreativ mjaft prestigjioz dhe bashkëpunon me shumë agjensione të mëdha si AKQA, VML, BBDO, Publicis, Ogilvy etj, dhe shumë herë edhe direkt me klient si Microsoft, Google, Spotify, Colgate, Oreo etj, dhe si rezultat i kësaj më bie edhe mua që të jem pjesë e këtyre projekteve, ndonjëherë në një rol më të rëndësishëm e ndonjëherë edhe me ndonjë rol më të vogël, varësisht nga projekti. Fillimisht isha shumë i entuziazmuar kur punoja për brende të tilla, sepse në Kosovë kjo ishte ajo që fantazoja gjithnjë, por sot ndihem shumë më mirë kur punoj ndonjë animacion për organizata bamirësie, sepse sadopak më duket se kontribuoj në jetën e njerëzve në nevojë.

KultPlus: Jeni përzgjedhur që të jeni pjesë edhe e shume festivaleve te filmit të shkurtër, çfarë do të thotë kjo për ju, po çmimet tjera që i keni marrë deri tani?
Ridvan Maloku:
 Së fundmi kam bërë një animacion krejt të shkurtë, i cili i është dedikuar një ngjarjeje jo shumë të mirë që na ka ndodhur si familje. Pa hyrë më thellë në detaje… për shkak të burokracive të vizave, për nëntë muaj nuk kam pasur mundësi të jem pranë djalit tim që në atë kohë vetëm sa kishte filluar ti mësonte fjalët e para. Një ditë gruaja ime më dërgoi një video të tij duke numëruar deri në dhjetë në gjuhën angleze. Për ta sfiduar ndarjen vendosa ta shndërroj këtë moment në një animacion. Kështu që mora zërin e tij, dhe derisa ai po numëronte unë i shndërrova këta numra në animacion. Si projekt është pritur shumë mirë dhe deri më tani është publikuar në pesë festivale të filmit të shkurtë, dhe më ka sjellur edhe tre çmime tjera ndërkombëtare.

KultPlus: Gjithashtu ke ligjëruar edhe ne School of Visual Art apo SVA ne New York City. Sa është e rëndësishme kjo për ju?
Ridvan Maloku:
 Si shumë të rijnë nga Kosova edhe unë nuk vija nga ndonjë familje e pasur, dhe si rrjedhojë e kësaj asnjëherë nuk kam përfunduar ndonjë shkollë adekuate për këtë profesion. Sapo kisha përfunduar shkollën e mesme fillova të punoja. Por kanë qenë dy shkolla që gjithnjë kam ëndërruar se do e përfundoja njërën, Vancouver Film School në Canada dhe School of Visual Art në SHBA.

Ne këtë te fundit, pra në SVA, kam qenë i ftuar si mysafir special të ligjëroj para studentëve që ishin afër diplomimit, ku kam ligjëruar për afro tri orë, fillimisht duke shpalosur një historik të vogël, pastaj duke shpjeguar për programet që unë përdori në punën time të përditshme dhe se si ndërtohet një karrierë e sigurt qoftë me orar të plotë apo freelancer (artist i pavarur). Kjo për mua ka qenë një eksperiencë shumë e mirë dhe shumë emocionuese në të njëjtën kohë.

KultPlus: Cila është këshilla që ju thoni ndoshta më së shumit te rinjve?
Ridvan Maloku:
 Ende nuk e di saktësisht se çfarë bëj, pra nuk i di të gjitha përgjigjet dhe ende jam në kërkim të tyre, por e rëndësishme është që mos të ndalemi duke kërkuar”.

KultPlus: E keni menduar të riktheheni në Kosovë për ndonjë projekt, ndoshta diçka pikërisht për animacionin dhe për të rinjtë?
Ridvan Maloku:
 Unë faktikisht këtu jam me vizë pune dhe asnjëherë nuk kam pasur ndonjë tendencë që të ndalem përgjithmonë. Ideja ishte që të futem në një gropë të madhe dhe ta gjeja rrugën për të dalë jashtë saj, pra me fjalë të tjera ta sfidoj vetën në maksimum, sepse vetëm atëherë kur largohesh nga hapësira e sigurt bënë një progres të vërtetë. Këtë vit shpresoj ta vizitoj Kosovën për herë të parë pas pesë viteve, dhe jam shumë i hapur për bashkëpunim, kështu që kushdo që ka ndonjë kërkesë apo ofertë mund të më kontaktojnë. Kam shumë informacion për të ofruar që do të ishte shumë i dobishëm jo vetëm për të rinjtë por gjithashtu edhe për bizneset, po flas jo vetëm për profesionin por dhe nga ajo se si është tregu këtu dhe si ata mund të depërtojnë në tregun global./KultPlus.com 

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Aksident në Ferizaj, përfshihen tri vetura – lëndohen 5 persona

Pesë persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti në mes tri veturave ne Ferizaj. Aksidenti ndodhi në rrugën...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img