Drejtoria komunale e Arsimit në Ferizaj ka filluar të bëjë shpërndarjen e teksteve mësimore për të gjitha shkollat e kësaj komune, pasi ato tashmë kanë arritur nga Ministria e Arsimit. Këtë e ka konfirmuar vet drejtori i arsimit Muhamet Halili, duke thënë se tekstet tashmë kanë arritur nga shtëpia botuese “Dugagjini”, ndërkaq shumë shpejt pritet të vini edhe nga shtëpia botuese “Libri shkollor”.
“Në bazë të kërkesë që kemi bërë ne si Drejtori, janë 300 mijë tituj të teksteve mësimore për nxënësit ferizajas”, ka thënë Halili.
Në anën tjetër drejtori i shkollës fillore “Gjon Serreçi” në Ferizaj, Milazim Dërguti , këtë e ka quajtur si veprim të vonuar nga Ministria e Arsimit dhe ka kërkuar përgjegjësi për këtë vonesë të librave shkollorë.
Njëherit Dërguti pati vërejtje edhe për ndërrimin e teksteve nga ana e Ministrisë së Arsimit të cilën e quajti shpenzim të kotë të mjeteve pasi shkollat kanë pasur një sasi të librave të vjetra të cilët kanë mundë të përdoren.
Në Komunën e Ferizajt, janë 27 mijë nxënës, ndërkaq janë 38 shkolla fillore dhe 8 të mesme.