Pas arrestimit të premten të një 17-vjeçari në Vjenë, i cili ishte vëzhguar nga autoritetet e sigurisë duke u përgatitur me gjasë për një sulm terrorist në kryeqytetin austriak, të shtunën në mbrëmje është burgosur një 21-vjeçar, i cili dyshohet të ketë planifikuar një sulm me bombë kundër policisë gjermane.
Sipas mediave gjermane dhe austriake të dy të arrestuarit janë me origjinë shqiptare dhe mbanin kontakte të ngushta. Deri më tani në media po qarkullon emri i të arrestuarit në Vjenë: Lorenz K., i njohur me emrin e luftës “Abu Chaker”. Ai thuhet se ishte deklaruar si simpatizant i “Shtetit Islamik” dhe po mendonte të kryente një sulm në metronë e Vjenës.
Gazeta austriake “Kronen-Zeitung” ka raportuar të dielën se Lorenz K., familja e të cilit është nga Shqipëria, ka pranuar se po përgatiste një sulm terrorist. Ai kishte kopjuar në internet plane për përgatitjen e një bombe dhe ishte duke mbledhur material për të. Ministria e Brendshme austriake nuk e ka komentuar këtë lajm. “Kronen-Zeitung” është një gazetë mjaft agresive dhe bulevardeske, e cila jo përherë raporton saktë, por në rastin konkret duket se redaksia ka informacione të dorës së parë.
Gjatë observimit dhe arrestimit të Lorenz K. të premten në mbrëmje në Vjenë aty ishin edhe reporterët e “Kronen-Zeitung”. Sipas policisë i arrestuari ishte i njohur si delikuent. Së fundi ai kishte qarkulluar “në një rreth radikal shqiptaroislamik”, shkroi gazeta “Die Presse”. Në shtëpinë ku u arrestua nuk është gjetur ndonjë mjet shpërthyes, ndërsa policia ka konfiskuar kompjuterin dhe disa telefona mobilë.