Tre persona kanë përfunduar në pranga pas një aksioni kundër drogës të realizuar nga Policia e Kosovës në fshatin Ivajë të komunës së Kaçanikut. Të njëjtit u kapën brenda një shtëpie, ku u gjetën dhe konfiskuan mbi 5 kilogramë marihuanë, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson ekskluzivisht nga burimet brenda Prokurorisë se personat e arrestuar janë vëllezërit T.B dhe V.B. 27 dhe 24-vjeçar, si dhe N.B 49-vjeçar.
Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të kryhen bastisje edhe në dy banesa, prona të të arrestuarve, ku në banesën e N. B-ës, është gjetur një pistoletë dhe disa vazo si në shtëpinë të cilën e kishin shndërruar në laborator drogë, ndërsa në banesën e dy vëllezërve nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.
Me vendim të prokurorit, tre të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.
Ndryshe gjatë aksionit janë gjetur dhe konfiskuar edhe pajisjet tjera që dyshohet se janë përdorur për kultivimin dhe rritjen e narkotikëve si reflektorë, foli alumini, gërshërë e pajisje për ujitje, një veturë e tipit Golf 4, një pistoletë me një karikator dhe shtatë fishekë si dhe 160 euro para të gatshme.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.