Prorektori për Buxhet, Financa dhe Infrastrukturë, Prof. As. Dr. Afrim Loku, priti sot në takim Profesorin Antonio Sanchez Pozo nga Universiteti i Granadës në Spanjë, i cili më pas mbajti një ligjëratë për studentët e UShAF.
Prorektori Loku u shpreh mirënjohës për vizitën e z. Pozo, si dhe e falënderoi atë që pranoi të ndajë me studentët e UShAF përvojat dhe njohuritë e tij.
Ndërsa, z. Pozo tha se ndihet i nderuar për ftesën dhe mundësinë që iu dha që të ligjërojë para studentëve të këtij universiteti, për të sjellë para tyre përvojën jetësore në arsim dhe njohuritë e fituara gjatë gjithë jetës, për të cilat tha se shpreson që t’iu shërbejnë studentëve në përgatitjen e tyre për profesion dhe jetë.
Gjatë ligjëratës, profesori Pozo i njoftoi ata me disa nga pikat kyqe të lidhjes së pjesëve aplikative dhe atyre shkencore, pasi që kjo është kërkesa e tregut të punës dhe nevojave në gjithë botën e shek. XXI. Po ashtu, ai i njoftoi studentët se si bota ka nevojë për inovacione, të cilat ndërlidhen edhe me shpenzimin e rezervave natyrore të naftës, gasit, etj, dhe theksoi se në në pjesën e hulumtimeve kemi nevojë për çasje të reja në shkencë, të cilat tani janë një domosdoshmëri e kohës.
Antonio Sanchez Pozo është specialist i biokimisë klinike dhe patologjisë molekulare dhe profesor në Fakultetin e Farmacisë dhe Shkencës në Universitetin e Granadës në Spanjë. Ai është anëtar në disa projekteve inovative dhe ka publikuar disa libra shkencorë.