Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot anuloi një vizitë në Austri e mblodhi Këshillin e Sigurisë së Kosovës, derisa në konferencë për media pas këtij takimi, deklaroi se do të angazhohen 85 inspektorë shtesë në mënyrë që të kontrollohet gjendja me COVID-19.Për këta 85 inspektorë që do të angazhohen në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, Ministria e Shëndetësisë, kishte hapur konkurs në muajin gusht, më saktësisht më 20 gusht.
Konkursi i hapur nga Ministria e Shëndetësisë ka përfshirë inspektorë sanitar në komunat si Prishtinë, Pejë, Prizren, Ferizaj, Gjilan dhe Mitrovicë.
Por, angazhimi i këtyre inspektorëve do të jetë me kohë të caktuar, 3 muaj me mundësi vazhdimi edhe për 3 muaj.
Këta inspektorë do të kenë pagën prej 520 euro.Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha sot se nesër do të bëhen publike emrat e personave që do të rekrutohen si inspektorë sanitar, derisa shtoi se afati i ankesave do të jetë 3 ditë.
Në këtë konkurs të Ministrisë po ashtu është kërkuar edhe staf mbështetës për spitalet rajonale.
Pozitat e lira të punës që do të mbulohen me këtë konkurs janë infermierë, ndihmës infermier, inspektorë sanitarë, laborant, teknik i rëntgenit dhe staf teknik.
KALLXO.com kishte raportuar 5 ditë më parë se ky konkurs sipas udhëheqësve të Spitaleve, nuk i përmbush nevojat e plota për luftën me pandeminë COVID-19.