Kandidati për kryetar të komunës së Ferizajt nga radhët e PDK-së, Agim Aliu, në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë, ka ftuar qytetarët e Ferizajt që t’ia besojnë atij mandatin e ardhshëm për udhëheqjen e komunës.
Aliu nëpërmjet një adresimi për qytetarët e Ferizajt i ka falënderuar ata për mbështetjen që po ia japin.
“Ferizajt i duhet ndryshimi, qytetarët kanë nevojë për një mënyrë të re të ofrimit të shërbimeve ndaj tyre, për një qeverisje që ka në rend të parë interesin qytetar dhe tejkalimin me punë e përkushtim të sfidave me të cilat ballafaqohen ata. #Forcaendryshimit po shtrihet në Ferizaj, forcë kjo e vetmja për qytetarët e komunës sonë”, ka shkruar ai.
Ky është adresimi i plotë i Agim Aliut për qytetarët e Ferizajt.
FALEMINDERIT PËR MBËSHTETJEN E FUQISHME DHE PA KUSHTE, QYTETARËVE DHE SUBJEKTEVE POLITIKE NË FERIZAJ
Ditëve të fundit mbështetja për kandidaturën dhe platformën time për Ferizaj është rritur. Këtë e konfirmon më së miri mbështetja e parezervë dhe pa kushte e shumicës së subjekteve politike në Ferizaj, pa harruar edhe mbështetjen e fuqishme qytetare. Ferizajt i duhet ndryshimi, qytetarët kanë nevojë për një mënyrë të re të ofrimit të shërbimeve ndaj tyre, për një qeverisje që ka në rend të parë interesin qytetar dhe tejkalimin me punë e përkushtim të sfidave me të cilat ballafaqohen ata. #Forcaendryshimit po shtrihet në Ferizaj, forcë kjo e vetmja për qytetarët e komunës sonë.
Falenderoj anëtarët dhe simpatizantët e Aleancës Kosova e Re (AKR), Nismës për Kosovën, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Partisë Demokratike të Ashkanlive të Kosovës (PDAK), anëtarët e simpatizantët e Partisë së Ashkanlive për Integrim (PAI) si dhe intelektualët dhe grupet e ndryshme shoqërore për mbështetjen pa kushte të kandidaturës sime në balotazh.
Jam falenderues edhe ndaj votuesve të cilët në mungesë të kandidatit për kryetar nga subjektet e tyre politike kanë vendosur që fuqishëm të më mbështesin në këtë garë për Ferizajn, për vizionin dhe platformën tonë e cila ka marrë mbështetjen tuaj të fuqishme.
Fitues në këtë garë është interesi qytetar, jemi të gjithë ne. Kjo do të dëshmohet më 19 nëntor.
Sinqerisht, Agim Aliu