Paraditen e sotme, Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu i shoqëruar edhe nga deputeti i Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica, përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, përfaqësues të Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të Kombit dhe Invalidëve të UÇK-së dhe qindra qytetarë bënë homazhe tek guri i varrit të Heroit të Kombit Ahmet Hoxha.
Në përkujtim të rënies heroike të Heroit Ahmet Hoxha u hap edhe Turneu Memorial i Ping Pongut “Ahmet Hoxha” që po mbahet në SHFMU “Tefik Çanga”.
Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu u shpreh se para veprës së heroit Ahmet Hoxha dhe rënies së tij në masakrën e burgut të Dubravës përkulemi të gjithë dhe jemi krenarë për veprimtarinë që zhvilluam bashkë në kohërat më të vështira për vendin tonë.
Astrit Hoxha, i biri i Dëshmorit të Kombit Ahmet Hoxha tha se në këtë ditë ndjenjat janë të përziera, por që krenaria e mund dhimbjen për mungesën e babait të tij.
Edhe Gafurr Bytyçi, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Kombit vlerësoi lartë heroizmin e Heroit të Kombit, Ahmet Hoxha duke u shprehur se pushteti gjakatar i vrau në burg, në masakrën e burgut të Dubravës dhe se i përkujtojmë me krenari dhe i gjithë populli shqiptar mburret me veprën e tij.
Në përkujtim të jetës dhe veprës së Heroit të Kombit Ahmet Hoxha, po mbahet Turneu Memorial i Ping Pongut “Ahmet Hoxha”, hapjen e së cilës e bëri Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, turne në të cilin po marrin pjesë sportistë edhe nga vende të rajonit.